E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tierri Henri vlerëson forcën e Junajted

Sulmuesi i Barcelonës, Tierri Henri, mendon se Mançester Junajted nuk duhet ta cilësojë veten si favorite në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, që do të luhet gjatë këtij muaji. Katalanët janë kualifikuar përballë gjermanëve të Shalkes, me rezultatin e përgjithshëm 2-0, por shqetësimi i sulmuesit francez është se skuadra e Sër Aleks Ferguson, momentalisht gëzon formën më të mirë në Evropë. "Kjo është një sfidë shumë emocionuese, por do të na duhet të luajmë mirë, sepse si kundërshtare kemi një skuadër që po luan në mënyrë të pabesueshme. Mançesteri gëzon formë të shkëlqyer", tha Henri. Megjithatë, ish-kapiteni i Arsenalit ka thënë se kampionët e Anglisë nuk do të luajnë në këtë sfidë si favoritë. "Ka shumë njerëz që do të thonë se ata (Mançester Junajted) janë favoritë, por askush nuk mund të flasë me siguri pa u luajtur ndeshja", vazhdoi ai. Henri është përballur shumë herë me "Djajtë e Kuq" dhe shprehet se Barcelona e ka të qartë se çfarë duhet të presë prej tyre në gjysmëfinale: "Junajted po kryeson kampionatin anglez dhe Kristiano Ronaldo po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm, pra mund të themi se e njohim mjaft mirë potencialin dhe lojën e tyre. Nuk do të jenë në gjendje të na kapin në befasi". Francezi mohoi mundësinë se përballë një prej rivalëve më të mëdhenj të ish-skuadrës së tij mund të motivohet më shumë dhe theksoi se kjo sfidë do të jetë plotësisht e ndryshme nga çdo ndeshje Arsenal-Mançester Junajted. "Diçka e tillë nuk ekziston (motivim ekstra ose dëshira për hakmarrje). Ndeshja Arsenal-Mançester është diçka tërësisht e ndryshme. Ndërkohë, përballja me ne do të rezervojë një sfidë të madhe dhe Barcelona do të luftojë për të fituar një vend në finalen e Moskës", përfundoi Henri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›