E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët godasin Kreig Belami, Junajtid rrezikon sanksione

Ngjarja

Mançester Junajtid rrezikon sanksione disiplinore, pasi tifozët në “Olld Traford” kanë goditur me një çakmak sulmuesin e Mançester Sitit, Kreig Belami, gjatë derbit në FA Cup. “Djajtë e Kuq” fituan 3-1 në sfidën e kthimit: skuadra e Ferguson u kualifikua për finalen që do të luhet në “Uembli” (më 28 shkurt kundër Aston Vilës) falë një goli të Uejn Runit në minutat shtesë. Megjithatë, festa është prishur nga paralajmërimi i Federatës Angleze, se rreth ngjarjes do të hapet një hetim. Belami u godit gjatë pjesës së dytë të lojës, në momentin kur do të ekzekutonte një goditje këndi, ndërsa në momentin kur ishte i shtrirë në fushë, pranë kokës së futbollistit janë hedhur edhe të paktën tri shishe birre. Tensioni për këtë derbi ishte i dukshëm: në fund të ndeshjes, ku ishin punësuar 400 agjentë sigurie, bilanci ishte 11 arrestime (40 në total, duke llogaritur edhe shoqërimet në polici gjatë ndeshjes së parë). Sipas një zëdhënësi të Junajtid, përgjegjësit e hedhjes së objekteve në fushë janë zbuluar dhe ata do të përjashtohen përjetësisht nga “Olld Traford”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›