E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zakeroni, një hap larg Juventusit Por, i përzgjedhuri është Benitez

Bardhezinjtë
Prapaskenat e një çështjeje me shumë intriga, tension ndërmjet Blank dhe Betegas për Xhentilen

Alberto Zakeroni do të jetë trajneri që gjatë orëve të ardhshme do të zëvendësojë çiro Ferrarën në krye të stolit të Juventusit. Pas shumë spekulimeve dhe kandidatëve të përfolur, negociatave dhe refuzimeve, Blank dhe Betega kanë zgjedhur teknikun e “emergjencës”: detyra e trajnerit të ri është të punojë deri në fund të sezonit me ekipin, me objektivin që t’u sigurojë bardhezinjve një vend në edicionin e ardhshëm të Champions League. Kontrata për Zakeronin është gati dhe në zyrat e klubit presin vetëm firmën. Megjithatë, asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht, pasi drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” po fitojnë kohë, me synimin të mësojnë nëse do të jetë e mundur që të emërojnë menjëherë Rafa Benitez, njeriun e përzgjedhur për të hapur ciklin e ri. Trajneri spanjoll i Liverpulit duket se e ka pranuar ofertën e Juventusit, por ai ka vendosur kushtin që të marrë drejtimin e skuadrës vetëm në qershor, kur kampionati të ketë përfunduar. Blank dhe Betega po tentojnë ta bindin Benitezin që të prishë kontratën aktuale (deri në vitin 2014) me “Reds”-at dhe të fillojë punën. Por, gjasat janë që Liverpuli të mos e pranojë largimin e trajnerit në mes të sezonit dhe për këtë arsye, në stolin e Juventusit do të emërohet provizorisht Alberto Zakeroni. Gjithçka mund të zyrtarizohet pas ndeshjes së fundjavës me Lacion. Përveç eksperiencës së jashtëzakonshme, ish-trajneri i Udinezes e Milanit dhe i Kombëtares U-21 të Italisë ka krijuar avantazh me kandidatët e tjerë, pasi nuk ka kërkuar garanci për sezonin e ri: Zakeroni ka qenë dakord që të punojë me Juven vetëm gjatë katër muajve të ardhshëm.
Ndërkohë, telenovelës së koklavitur bardhezi i është shtuar edhe një tjetër seri: Betega, me iniciativën e tij, ka kontaktuar Klaudio Xhentilen për ta bindur të zëvendësojë Ferrarën. Ish-mbrojtësi e kishte pranuar propozimin, por ata nuk kishin parashikuar reagimin e ashpër të Blank, rreth një interviste të Xhentiles ku ai kishte kritikuar drejtuesit e klubit. Këto janë vetëm shenjat e para të tensionit ndërmjet Betegas dhe Blank.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›