E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozet kontestojne Portugaline

Portugalia do të paraqitet me shumë pretendime në Euro 2012, por për momentit luzitanët duhet të përballen me kontestimet e tifozëve, të cilët e fërshëllyen përfaqësuesen pas barazimit zhgënjyes pa gola në miqësoren me Maqedoninë.

Skuadra e drejtuar nga Paulo Bento ka luajtur nën nivelin e pritshëm dhe vetëm disa goditje dënimi të rrezikshme të Kristiano Ronaldos nuk kanë mjaftuar. Kjo ka bërë që trajneri portugez ta mirëkuptojë reagimin e tifozëve.

“Nuk luajtëm mirë kundër Maqedonisë. Gjithashtu edhe rezultati nuk mund të cilësohet i kënaqshëm. Aspekti pozitiv është që nuk na u dëmtua asnjë lojtar përpara Europianit dhe natyrisht që lojtarët janë ende duke gjetur formën fizike, sepse pas mbylles së kampionateve kanë zhvilluar vetëm një javë stërvitje. Natyrisht që duhet të përmirësohemi në ndeshjen e radhës”

Portugalia ndodhet në grupin e ferrit të Euro 2012, së bashku me Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën. Duke folur për kundërshtarët direkt, dhe më specifikisht humbjen e Gjermanisë përballë Zvicrës, Bento deklaroi se “nuk gënjehet nga kjo humbje e skuadrës së Joakim Lëv”, ndërsa nënvijëzoi se nuk e dramatizon rezultatin kundër Maqedonisë.

Të shtunën e ardhshme Portugalia do të zhvillojë miqësoren e fundit në këtë periudhë përgatitjesh kundër Turqisë, përpara se të niset drejt Polonisë, për t’u bërë gati për startin e Kampionatit Europian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›