Tifozët, zhurmë gjatë natës që Interi të mos flinte
BARCELONE- Vetëm pak orë më pas, në “Kamp Nou” do të zbresin në fushë Barcelona dhe Inter, në ndeshjen që do të përcaktojë finalisten e dytë të Ligës së Kampioneve. I gjithë qyteti i Barcelonës duket në ankth për këtë sfidë, ndërkohë që në stadium do të jenë 98 mijë vetë, të cilët kanë planifikuar të krijojnë një koreografi madhështore. Në fakt, rrallëherë është parë në Barcelonë një atmosferë e tillë, por sipas trajnerit të Interit Zhoze Murinjo, ajo lidhet me dëshirën e tifozëve për të luajtur finalen e “Santiago Bernabeut”. Por, është po aq e vërtetë se kjo sjellje në kampin katalanas tregon edhe frikë. Madje, njerëzit janë duke provuar gjithçka për të luajtur në Madrid më 22 maj ndaj Bajernit të Mynihut. Gjatë natës, një grup prej mbi 50 tifozësh, kanë qenë përpara hotelit ku është akomoduar Interi “Don Juan Carlos I” me tambure dhe shashka, me qëllim që të mos lejonin futbollistët të flinin. Kjo gjendje ka vazhduar deri në 3 të mëngjesit, madje për çudi as patrulla e policisë spanjolle nuk ka ndërhyrë, por vetëm i ka vëzhguar. Në hotel në fakt nuk ka ndodhur asgjë, ndërsa shërbimi i sigurisë së Interit ka ndërhyrë te turma duke sekuesttruar edhe ndonjë tambur. Burime të skuadrës zikaltër ndërkohë kanë bërë të ditur se gjumi i futbollistëve nuk është prishur nga kjo. Organizimi i tifozëve është organizuar në facebook, në faqen e titulluar “Cacerolada”. “Për të kompensuar udhëtimin me autobus që Barça bëri deri në Milano, të shkojmë në hotelin e tyre dhe t’i mbajmë zgjuar me një ‘Cacelorada Monumental’”, shkruanin tifozët katalanas. Ndërkohë në Barcelonë kanë shkuar edhe një numër i madh tifozësh të Interit, rreth 5 mijë, të cilët do të jenë sonte në stadium për të mbështetur skuadrën e tyre në misionin historik.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)