Tirana - Laçi, luftë për vendin e dytë

www.albania-sport.com - Tirana pas “likuidimit” të Shkumbinit katër ditë më parë, synon të mërkurën të “heqë qafe” një tjetër kundërshtar në luftën për vendin e dytë, Laçin, surprizën e madhe të këtij sezoni.
Kur duhen edhe pesë ndeshje nga përfundimi i sezonit, Tirana ndodhet në vendin e dytë, me 44 pikë, 14 më pak se Dinamo e vendit të parë, dhe një më shumë se Besa e vendit të tretë.
Laçi, kundërshtari i radhës i Tiranës, ndodhet në vendin e katërt me 42 pikë, po aq sa Vllaznia, e pesta.
Një fitore surprizë e kurbinasve në “Selman Stërmasi” do të sillte edhe rokadën midis dy skuadrave.
“Ndeshja me Laçin është më e vështirë se ajo në Peqin”, - tha trajneri i Tiranës, Sulejman Starova.
Në drejtimin e Starovës, trajneri i pestë sezonal që drejton në bankinën e bardhebluve, 24-herë kampionët kanë arritur tri fitore rresht në po aq ndeshje.
“Synimi ynë është që të fitojmë dhe të marrim tri pikët e radhës”, - theksoi për mediat, trajneri që fitoi me Tiranën titullin në sezonin 2004-2005.
Dy ndeshjet midis tyre gjatë këtij sezoni, kanë rezultuar me nga një fitore në shtëpi për çdo skuadër: Laçi fitoi 1-0 në fazën e parë dhe Tirana fitoi po 1-0 në kryeqytet në fazën e dytë.
Laçi synon për herë të parë Europën gjatë 10 sezoneve të tij në Superligë.
Trajneri durrsak, Stavri Nica, ka ndërtuar një ekip solid, pavarësisht se në transfertë ka grumbulluar vetëm 10 pikë (13 ndeshje) në raport me 32 pikët e koleksionuara në shtëpi (15 ndeshje)
“Të mërkurën ndaj Tiranës do të këmbëngulim të marrim pikët e nevojshme”, - tha mbrojtësi 24-vjeçar Emiljano Çela. “Unë nuk shoh asgjë që nuk shkon”.
Në fakt, në transfertë, Laçi ka fituar vetëm dy takime: me Gramozin (1-2) dhe me Vllazninë (1-2), një skuadër që e ka mundur dy herë Tiranën brenda këtij sezoni në kryeqytet.
Laçi nuk humbet prej katër ndeshjesh, por kalendari i tij drejt Europës është tepër i komplikuar, pasi kurbinasve do t’u duhet të përballen me radhë: Tiranën, Besën, Dinamon, Skënderbeun dhe në mbyllje të kampionati me derbi kundër Kastriotit.
Laçi ka shënuar një gol për ndeshje, sulmi i pestë më i dobët në kampionat.
Në gjashtë ndeshjet e fundit (fazën e tretë) ka shënuar vetëm gjashtë gola, por në tri ndeshjet e fundit nuk shënon asnjë sulmues, përfshirë dhe Arlind Norën, golashënuesin më të mirë të ekipit (10 gola).
Nga ana tjetër formacioni i Stavri Nicës mban një rekord sezonal: është skuadra që ka pësuar më pak gola, 23, një më pak se Besa (24) dhe dy më pak se Tirana (25).
“Me Tiranën do të jetë e vështirë, por Laçi ka potenciale për të zhvilluar këtë takim me rivalitet të plotë”, - theksoi kapiteni Julian Brahja.
Në ndeshjen e fundit, Laçi fitoi 1-0 me Gramozin në shtëpi, ndërkohë që Tirana fitoi po 1-0 me Shkumbinin në transfertë.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 20 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili