E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, KQZ numëron votat në Njësinë 4, PS: Po manipulohet

TIRANE- Komisioni Qendror Zgjedhor vazhdoi sot me numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara në 43 qenda votimi të KZAZ Nr 48, që i përket njësisë nr 4. Deri dje janë numëruar votat e kontestuara të njësive bashkiake nr.1, nr.2 dhe nr.3. 474 kuti votimi të hapura. Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës kryeson ndaj kreut socialist Edi Rama. Zëdhënësi i KQZ Leonard Olli hedh poshtë akuzat e përfaqesuesve ligjore të opozitës për mosperputhje të kodeve të sigurisë

PS, GJONCAJ: PROCESI NE KQZ I MANIPULUAR
Ora 12: 32 Përfaqësuesi ligjor I PS-së Genc Gjoncaj e quajti “të paligjshëm, të manipuluar dhe të parapërgatitur nga KQZ” procesin e rinumërimit të fletëve të hedhura gabim, që po zhvillohet në KQZ. “Në kuti mungonte zarfi i fletëve të pavlefshme, fletët e votimit fluturojnë nga një kuti në tjetrën.. Kodet nuk korrespondojnë me kodet e mbyllura nga grupet e numërimit… këto bëjnë që ky proces të jetë tejet i manipuluar dhe parapërgatirur nga KQZ, dhe i paligjshëm.

NIS NUMERIMI I KUTIVE NE NJESINE 4, SHKARKOHET VEZHGUESJA PS
Ora 12.08 Numërimi i kutive të njësisë nr 4 nisi me tension mes kreut të KQZ-së, Arben Ristani dhe vëzhguesve të hapjes së kutive. Ristani kërkoi shkarkimin e një vëzhguese socialiste pasi kishte lexuar kodet gabim, ndërkohë që lexoheshin kodet e një kutie ajo kishte marrë një kuti tjetër. Me votim 4 me 2 KQZ urdhëroi shkarkimin e vëzhgueses Anila Çobani dhe i dha kohë PS-së që deri në orën 13:00 të caktojë një vëzhguese tjetër. Numërimi në këtë grup numërimi ku ndodhej vëzhguesja PS, u ndërpre deri në orën 13:00.

PRITET TE NISE NUMERIMI, OLLI: KODET E KUTIVE TE SAKTA
Ora 11: 36 Në KQZ pritet të nisë procesi i hapjes së kutive. NEWS24 raporton se tashmë kutitë e KZAZ nr 48 tashmë kanë mbërritur brenda këtij institucioni dhe pas pak pritet të nisë numërimi.

Ndërkohë që në një prononcim për median zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli hodhi poshtë akuzat e ngritura nga PS se kodet e sigurisë së kutive të votimit nuk rakordojnë me ato që po hap Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  "Kodet e kutive janë të sakta“ – nënvizoi Olli duke shtuar se „"Eshte e pamundur të preket.....Nuk ka pasur asnjë ankimim për mospërputhje kodesh“. Olli deklaroi se "nëse do të kishte mospërputhje të kodeve atëherë subjektet politike do kishin bërë ankimim, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur". 

"Kodi i 5-të i sigurisë, është një kod që vendoset në komisionin e qendrës së votimit në përfundim të votimit. Dhe është pikërisht kodi i cili mbyll vendin e hyrjes së fletëve të votimit. Sigurisht të ketë pasur problematika do të thotë që kjo QV të mos jetë marrë në shqyrtim nga ana e KZAZ respektive. Por pretendimi nuk ka të bëjë me momentin e përpunimit të këtyre kutive apo QV, por pas depozitimit të tyre në magazinat në Lundër. Dhe kjo është totalisht e pamundur të ndodhë, sepse kjo bazë e materialeve zgjedhore e cila është shoqëruar me procesverbalet respektivë, vjen në KQZ nën shoqërimin e kryetarit cdo KZAZ, nënkryetarit e sekretarin që u përkasin të dy forcave politike."
Duke iu referuar debateve mes përfaqësuesve të opozitës në KQZ në lidhje me kodin 5, Olli sqaroi "Kodi i 5-të i sigurisë, është një kod që vendoset në komisionin e qendrës së votimit në përfundim të votimit. Dhe është pikërisht kodi i cili mbyll vendin e hyrjes së fletëve të votimit. Sigurisht të ketë pasur problematika do të thotë që kjo QV të mos jetë marrë në shqyrtim nga ana e KZAZ respektive. Por pretendimi nuk ka të bëjë me momentin e përpunimit të këtyre kutive apo QV, por pas depozitimit të tyre në magazinat në Lundër. Dhe kjo është totalisht e pamundur të ndodhë, sepse kjo bazë e materialeve zgjedhore e cila është shoqëruar me procesverbalet respektivë, vjen në KQZ nën shoqërimin e kryetarit cdo KZAZ, nënkryetarit e sekretarin që u përkasin të dy forcave politike. "

Përfaqësuesit ligjor të PS në KQZ pretendojnë se gjatë procesit të vlerësimit të votave të kontestuara, janë hapur kutitë me kode sigurie, që nuk përputhen me procesverbalet.

NUMEROHEN 474 KUTI; BASHA NE AVATAZH ME 76 VOTA
Ora 08:00 Nga 1940 kuti të procesit zgjedhor për Tiranën janë 1793 kuti gjithsej që do të hapen për të rinumëruar fletët e kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Rinumërimi nisi të shtunën e javës së kaluar me kutitë e njësisë bashkiake nr. 1 për të vijuar me kutitë e KZAZ-ve të tjera. KQZ njoftoi dje se do të mblidhet sot rreth orës 09:30 për të vijuar me numërimin e votave në njësinë nr 4.

Në total, KQZ-ja ka hapur deri dje 474 kuti votimi, nga të cilat 156 i përkasin njësisë bashkiake Nr.1, 201 të njësisë bashkiake nr.2 dhe 117 kuti që i përkasin njësisë bashkiake nr.3. Nga procesi i numërimit në të tre njësitë vendore, kandidati i koalicionit të djathtë, "Aleanca për Qytetarin", Lulzim Basha vazhdon të jetë në avantazh ndaj rivalit të tij socialist Edi Rama me 76 vota.

Nga numërimi i fletëve të votimit në njësinë bashkiake Nr.1, (me 18 qershor), ku u hapën 156 kuti votimi rezultuan 28 vota në favor të kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe 26 për rivalin e tij socialist, Edi Rama.

Në njësinë bashkiake Nr.2 (me 19 qershor) nga 201 kutitë e hapura janë gjetur 33 vota të hedhura gabim. Ndër të cilat 21 shkuan në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha dhe 12 në favor të kandidatit socialist Edi Rama.

Në njësinë nr. 3  u hapën, (me 19 qershor), 117 kuti, ku rezultoi që kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha mori 20 vota, ndërsa Rama mori 36 vota.

Procesi i numërimit kryhet nga 8 grupe. Secili grup i numërimit është i përbërë nga dy anëtarë që i përkasin administratës së KQZ- së dhe
që hap katër kutitë e të njëjtës qendër votimi.

DEBATI DJE
Debatet kanë përfshirë sallën në KQZ teksa po vijonte numërimi i votave për njësinë bashkiake numër 2. Një përfaqësuese e Partisë Socialiste në përfaqësinë e vëzhguesve u ankua se kolegu i saj nga Partia Demokratike e kërcënoi me largim nga puna personalisht atë dhe bashkëshortin e saj. "I nderuar z. Ristani, përfaqësuesi i PD-së më kërcënoi se do më largojë nga puna. Burri im është ushtarak. Çfarë janë këto kërcënime", - u shpreh ajo. "Unë nuk e kërcënova, thjesht i sugjerova si të shkruante emrin në një procesverbal sepse e ngatërroi, duhej Etleva Shkurta", - u justifikua përfaqësuesi i PD-së. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Genc Gjoncaj, përfaqësuesi ligjor të PS-së në KQZ. "Z. Ristani, këtë mbledhje e drejtoni ju apo PD-ja. Duhet që KQZ-ja të drejtojë mbledhjen jo të lerë këta njërez që e quajnë veten burra të drejtojnë këtu", - u shpreh ai. Situata shkaktoi disa minuta zhurmë në sallën e KQZ-së, ndërsa Ristani kërkoi që mos shkaktohen "eksese" në këtë proces.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Tirana, KQZ numerimi dje ne Njesine 2, 3 Tirana, KQZ nisi te shtunen rinumërimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›