E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Skënderbeu barazimi që i vlen vetëm Flamurtarit

SHKRUAN: Jeton Selimi 04-02-2011 11:59

Sfida e prapambetur mes Tiranës dhe Skënderbeut përfundon në paqe të bardhë. Skuadrat ndajnë nga një pikë, por në fakt janë vlonjatët ata që fitojnë dy pikë pa zbritur në fushë

Që do të ishte një ndeshje shumë e fortë, kjo as që diskutohej. Por Tirana-Skënderbeu u kanë dhënë vërtet shumë emocione tifozëve, ndonëse në pjesën e parë nuk u shënua asnjë gol. Takimi ka nisur i fortë, madje deri në kufirin e ashpërsisë, teksa të dyja skuadrat nuk e tërhiqnin këmbën nga dyluftimi. Megjithatë, rastet e pastra për gol mungojnë, ndonëse Tirana është disi më kërkuese në lojën e saj dhe Skënderbeu qëndron më i tërhequr, në kërkim të kundërsulmit perfekt. Muça e ka të qartë këtë dhe kërkon të shfrytëzojë shpejtësinë e Muzakës dhe Cikalleshit, ndërsa Dede, me Andi Lilën e skualifikuar, repartin ia beson dy veteranëve, Sinës dhe Osmanit. Dy nga blerjet e fundit, Bekim Bala dhe Jahmir Hyka kanë qenë të ulur në stolin bardheblu. Kur dukej se ky 45-minutësh do të mbyllej pa tension, ka menduar gjyqtari Jemini që vendos të vërshëllejë atëherë kur korçarët fituan një goditje këndi, çka ka sjellë edhe irritimin e Skënderbeut, që nuk kanë qenë aspak dakort me këtë vendim.

Sidoqoftë, pjesa e dytë do të ketë gjithashtu surprizat e saja. Nevil Dede vendos ta nxjerrë skuadrën në sulm dhe hedh në fushën e lojës Bekim Balën që merr vendin e Gilman Likës. Tirana bëhet me tre sulmues, Bala-Pejiç-Morina, ndërsa Skënderbeut do t’i duhet të punojë më shumë në mbrojtje. Tirana kërkon të ndryshojë edhe më. Nxjerr kapitenin Muka dhe në vend të tij hedh Jahmir Hykën, që pritet me ocavione nga tifozëria vendëse. Me këtë veprim Tirana nuk humbet asgjë nga ana e fantazisë, por fiton shumë në shpejtësi në ndërtimin e aksioneve. Skënderbeu vijon të qëndrojë në pritje dhe duket sikur ka barazimin si objektiv nga ky 90-minutësh, ndërsa Tirana e di fare mirë që një 3 pikësh kundër Skënderbeut, e fut zyrtarisht te grupi i ekipeve pretendente për titull. Minuta e 78-të do të regjistrojë rastin e parë të vërtetë të ndeshjes. Sabien Lilaj zbret nga e djathta dhe hedh një top në qendër të zonës, Hyka lëviz mirë, shmang mbrojtësin, godet, por sipër traut të kuadratit të mbrojtur nga Orges Shehi. Ky do të jetë edhe rasti i fundit i vërtetë për krejt takimin, pasi, ndonëse Tirana mësynte më shumë, nuk gjente hapësirat e nevojshme në mbrojtjen e ngjeshur të Skënderbeut.

Muça: Një barazim që nuk na vlen

“Barazimi nuk na vlen as neve as Tiranës, por jam i kënaqur nga loja, me karakter dhe zemër. Shpresojmë të ecim përpara. Gjendja e ekipit nuk është ende 100%, pasi mungonin shumë lojtarë, por zhvilluam një ndeshje të mirë edhe morëm rezultat pozitiv. Shkëputja nga Flamurtari? kemi edhe 15 javë përpara,” deklaroi trajneri i Skënderbeut në përfundim të ndeshjes.

Nevil Dede: Gabova te zëvendësimet

“Sinqerisht më ka ardhur keq për pjesën e parë, ku loja ishte nën nivelin tonë.

Jam i mërzitur, pasi për mënyrën si rodhi ndeshja meritonim diçka më shumë. Dua të përmend se tre zëvendësimet nuk dhanë fare efekt, por, shkaktari kryesor për paraqitjen jo shumë të mirë të lojtarëve jam unë, pasi nuk bëra zgjedhjet e duhura,” deklaroi i mërzitur pas ndeshjes trajneri i 24 herë kampionëve të vendit. Nevil Dede.

E prapambetur

Tirana – Skënderbeu 0-0

Renditja N F B H Gol P

1) Flamurtari 18 13 1 4 31-15 40

2) Skënderbeu 18 11 2 5 28-17 35

3) Vllaznia 18 10 4 4 21-15 34

4) Tirana 18 9 5 4 27-17 30

5) Dinamo 18 8 4 6 28-23 28

6) Laçi 18 8 3 7 22-20 27

7) Teuta 18 6 4 8 19-20 22

8) Shkumbini 18 6 3 9 23-28 21

9) Kastrioti 18 5 5 8 19-27 20

10) Besa 18 4 6 8 15-23 18

11) Bylis 18 4 3 11 20-33 15

12) Elbasani 18 3 3 12 18-33 9

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›