Tirana e Teuta nuk lëshojnë terren, Dinamo zhytet edhe më në krizë
Janë luajtur katër ndeshjet e radhës për javën e 7-të të superligës. Bardheblutë fitojnë në Fier ndaj Apolonisë, ndërsa durrsakët në Vlorë kundër Beratit
Tirana e Teuta do të vazhdojnë ta ruajë bashkëkryesimin edhe pas javës së shtatë të kampionatit shqiptar, pasi bardheblutë arritën një fitore me shumë vlera në transfertë, në ndeshjen e zhvilluar në “Loni Papuçiu” të Fierit. Apolonia vendase ishte e para që kaloi në avantazh, nëpërmjet një goli të shpejtë të Gërxhos, por skuadra e Rubios spostoi gradualisht lojën në gjysmëfushën e fierakëve. Kështu, ndonëse episodikë, golat nuk mund të quhen të pamerituar. I pari që realizoi për bardheblutë ishte vendasi Naçi, i cili dërgoi në mënyrë të pafat topin në portën e tij. Në pjesën e dytë, dominimi i skuadrës më të sukseshme në historinë e futbollit shqiptar, u arrit të përkthehej në gol vetëm në sekondat e fundit të kohës së rregullt, kur pas një rrëmuje në zonë, Pisha realizoi një gol me kokë mbi vijën fatale. Teuta vazhdon formën e mrekullueshme në këtë kampionat, ndërsa arriti në ndeshjen e zhvilluar të dielën në drekë një fitore të madhe ndaj Tomorit, ndeshje e luajtur në fushën asnjëaanëse të Vlorës. Humbja në “fushën e vet”, saldon beratasit në vendin e parafundit në renditje. Hyshmeri dhe Veliaj shënojnë në ekstremin e fundit të çdo pjese, duke i dhënë skuadrës së Likës tre pikë të tjera dhe duke mos lejuar Tiranën që të shkëputet e vetme në kryesim. Ndërkohë, Shkumbini dhe Laçin ndanë nga një pikë në Peqin. Ziambo ndëshkon ish-skuadrën e tij dhe e zhyt më keq në krizë formacionin e Sejdinit. Kamza “dhunon” fushën e Dinamos, vetë tempullin e futbollit shqiptar “Qemal Stafa”, me një dygolësh të sulmuesit afrikan. Mendohej se kjo ndeshje do të ishte rasti i duhur për blutë e Farruk Sejdinit, për të nisur kthesën, por doli një shkallë më shumë në shkallën drejt greminës, drejt Kategorisë së Parë. Miqtë merituan gjithçka, duke pasur më shumë përvojë, më shumë forcë morale dhe fizike, më shumë vendosmëri, si edhe Ziambon. Sot do të luhen dy ndeshjet e fundit. Bylis do të presë Flamurtarin ndërsa Skënderbeu pret Kastriotin.
Superliga
Rezultatet
Dje
Vllaznia – Pogradeci 1-0
Sot
Apolonia – Tirana 1-2
Tomorri – Teuta 0-2
Shkumbini – Laçi 1-1
Dinamo – Kamza 0-2
Nesër
Bylis – Flamurtari 14:00
Skënderbeu – Kastrioti 17:00
Renditja
Skuadra N F B H P
1. Tirana 7 5 1 1 16
2. Teuta 7 5 1 1 16
3. Flamurtari 6 4 0 2 12
4. Kastrioti 6 4 0 2 12
5. Laçi 7 3 3 1 12
6. Kamza 7 3 1 3 10
7. Vllaznia 7 3 1 3 10
8. Shkumbini 7 2 3 2 9
9. Bylis 6 2 1 3 7
10. Apolonia 7 2 1 4 7
11. Pogradeci 7 2 1 4 7
12. Skënderbeu 6 1 4 1 7
13. Tomori 7 1 1 5 4
14. Dinamo 7 0 2 5 -1
Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA