Vëllaznimi ia rrëmben pozitën Dritës
Besa - Drita 3:0
Drita e ka pësuar humbjen e dytë rresht në sezonin pranveror. Pas Trepçës, edhe Besa i ka mposhtur bardhekaltrit të dielën në Pejë, me rezultat bindës, 3:0 - në kuadër të xhiros së nëntëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll. Pejanët i treguan dhëmbët qysh në minutën e 3-të kur shënuan për 1:0 nëpërmjet Fisnik Papuqit. Vendasit e kanë dyfishuar epërsinë në minutën e 52-të, kur Haxhi Zeka ka shënuar për rezultat 2:0. Veterani i ekipit pejan ka shënuar edhe në minutën e 64-të nga penaltia për rezultat përfundimtar, 3:0. Kjo disfatë, nga pozita e dytë, Dritën e ka qitur në vendin e tretë të renditjes tabelore me 32 pikë të tubuara, gjashtë më pak sesa lideri aktual i Superligës, Prishtina. Kurse, kjo fitore mund ta nxit Besën që t’ia mësyj luftës për titull të kampionit, pasi tashmë është ngjitur në kuotën e 28 pikëve, dhjetë më pak sesa prishtinasit.
Trepça – Vëllaznimi 0:0
Vëllaznimi nuk ka mundur të fitoj më shumë sesa një pikë në Mitrovicë përballë Trepçës, pasi ky takim ka përfunduar baras, 0:0. Marrë në tërësi, të dyja ekipet kanë aplikuar lojë shumë monotone për shikues, duke krijuar shumë pak raste shënimi. Përkundrazi, në atë takim shpesh ngiteshin tensionet në mesin e futbollistëve, siç ndodhi në minutën e 58-të, kur Edmond Turku i Trepçës e goditi qëllimisht me kokë Agron Skerajn. Këtë sjellje josportive të Turkut, e ndëshkoi gjyqtari i takimit, duke e përjashtuar atë nga loja. Falë disfatës së Dritës, me këtë pikë të fituar Vëllaznimi është ngjitur në vendin e dytë të renditjes tabelore me 33 pikë, pesë më pak sesa lideri aktual, Prishtina.
Lepenci – Hysi 1:0
Hysi tashmë ka ngecur shumë në rrugën drejt titullit të kampionit. Llapjanët janë mposhtur në Kaçanik nga Lepenci me rezultat, 1:0. Hero i ekipit kaçanikas ishte Besmir Xhika, i cili në minutën e 29-të e ka shënuar golin e vetëm dhe të fitores. Kurse, Hysi rastin më të mirë për të shënuar e ka humbur në minutën e 15-të, kur gjuajtjen e Yll Hoxhës nga penaltia e ka ndalur portieri i vendasve, Berat Jakupi. Me këto tri pikë të fituara, Lepenci e ka bërë një hap të madh drejt mbetjes në Superligë.
Gjilani – Drenica 1:0
Gjilani ia ka shkaktuar humbjen e dytë rresht Drenicës së Bylbyl Sokolit, duke e mposhtur me rezultat minimal, 1:0. Golin e vetëm dhe të fitores për gjilanasit e ka shënuar Bunjamin Shabani në minutën e 42-të. Kjo fitore ia ka shtuar gjasat Gjilanit për të mbijetuar në elitë, derisa Drenica tashmë është e rrezikuar shumë seriozisht për ta humbur statusin e anëtarit të elitës.
Tabela Nd Gd Pi
1. Prishtina 19 15 38
2. Vëllaznimi 19 1 33
3. Trepça'89 19 10 32
4. Drita 19 8 32
5. Besa 19 1 28
6. Hysi 19 5 27
7. Lepenci 19 -5 25
8. Trepça 19 -3 23
9. Liria 19 -6 21
10. Drenica 19 -6 19
11. Gjilani 19 -12 19
12. KEK-u 19 -8 17