Tirana, kampionia humb me dëshirë

- Teuta me fitoren ndaj Tiranës(2-0), më të lehtën të arritur ndonjëherë me rekordmenë shqiptarë, madje më të lehtë se fitorja 1-0 në fazën e katërt të sezonit të kaluar, kur tri pikët e falura në kryeqytet nga bardheblutë e shpëtuan skuadrën e presidentit Edmond Hasanbelliu.
Reagimi i fortë i atyre tifozëve të paktë durrsakë, thirrjet e të cilave i dëgjoi edhe presidenti i FSHF-së (ndodhej në tribunën VIP), ishte sinjali më i qartë se kampioni i ri i Shqipërisë, kishte mbërritur në "Niko Dovana" thjesht për të humbur, për llogari të aksit Tiranë-Durrës-Kavajë. Me pjesën e parë 0-0, dhe me ndonjë përpjekje për të luajtur 45 minuta të dyta më impulsivem, dy ekipet (pa asnjë lloj grinte në fushë) ishin të vetëdijshme se rezultati "1" nuk do të vononte. Bledar Mancaku ishte autori i golit të parë në minutën e 56' (goli i nëntë sezonal), për t'ia lënë radhën Daniel Xhafaj (75') për të dyfishuar rezultatin, por dhe për të ngushtuar deri në 1 gol diferencën me golashënuesin më të mirë të kampionatit, Vioresin Sinani (21), i cili e ndoqi nga tribuna ndeshjen. Teuta regjistroi një tjetër ndeshje të sukseshme në shtëpi (asnjë humbje në 17 javë, vetëm 7 gola të pësuar) duke vendosur edhe një rekord absolut në historinë e saj.
Tirana, që kishte në dorë edhe fatet e Kupës UEFA për dy ekipet ndjekëse të saj, mund të thuhet se i dhuroi tri pikë të arta durrsakëve, teksa të shtunën e ardhshme do të përballet me Vllazninë në javën e fundit të kampionatit. Teuta, që të mërkurën do të ndeshet në finalen e Kupës së Shqipërisë më Besën e Kavajës, është dhe ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë në fazën e tretë: plot 26 në 10 javë.
Bilanci: 138 ndeshje, 32 fitore Teuta, 35 barazime, 71 fitore Tirana. Golat: 117-225.