Tirana me tramvaj, Rama prezanton projektin
Tirana do të bëhet me tramvaj, shërbim që do t’i japë zgjidhje problemit të trafikut në kryeqytet, nëse projekti për ndërtimin e tij do të zbatohet. Në fakt, tramvaji i Tiranës është një premtim elektoral që e ka shpalosur më herët edhe rivali i kryebashkiakut Edi Rama për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Por, ndryshe nga ky i fundit, kreu aktual i Bashkisë së Tiranës ka hedhur një hap më tej në këtë drejtim, duke prezantuar projektin për ndërtimin e një tramvaji në kryeqytet, që më shumë se kaq është një rinxjerrje e tij nga sirtarët e zyrave të Bashkisë, për t’u rishfaqur në publik, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 8 Majit. “Tram Tirana” është një projekt që ka lindur për herë të parë dhe është zhvilluar në vitin 2004, në dokumentet e zhvillimit të Bashkisë së Tiranës, në mandatin e dytë qeverisës të Ramës si kryetar i Bashkisë. Ky fakt bëhet i ditur edhe në projektin “Tram Tirana” të Bashkisë, ku thuhet se: “Tram Tirana, ka lindur si koncept në Masterplanin e Qendrës së qytetit, për herë të parë, në vitin 2004”. Por, duket se ka qenë kostoja tepër e lartë financiare, 100 milionë euro, arsyeja pse Bashkia e Tiranës nuk ka mundur ta shndërrojë këtë projekt në realitetet, megjithëse kanë kaluar 7 vite që nga koha e hartimit të tij, ndërkohë që do të duhet të priten edhe 9 vite të tjera që qytetarët të udhëtojnë me tramvaj. Gjithsesi, me gjithë këto dilema, që bëhen edhe më të vështira t’u besuar përderisa dalin në kohë fushate, sipas projektit të prezantuar dje nga përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, si dhe kryetarit të saj, “Tram Tirana” është i organizuar në 6 linja, të cilat mbulojnë një pjesë të gjerë të lagjeve dhe territorit të qytetit dhe kanë si bosht kryesor akset Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim. Më konkretisht, tramvaji “Tram Tirana”, do të shtrihet në kryeqytet, në 6 linja kryesore, që janë: Universiteti Politeknik-Kombinat; Universiteti Politeknik-Kampusi i ri universitar i Tufinës; Universiteti Politeknik-Universiteti Bujqësor i Kamzës; Universiteti Politeknik-Parku i ri i Paskuqanit; Tiranë-Aeroporti i Rinasit dhe Tiranë-Durrës. Rrjeti i Linjave Tram Tirana ka një shtrirje prej 20 km linjë urbane, me 30 stacione në zona urbane. “Tram Tirana”, sipas projektit të Bashksië së Tiranës, është një sistem unik i transportit publik me mjete tip “tramvaj”, qendra e të cilit do të jetë në dalje të qytetit, këmbimi me trenin. Duke përdorur tramvajin, qytetarët përfitojnë shumë të udhëtojnë me të në distanca të gjata që përshkojnë qytetin nga cepi në cep, ndërkohë që ai do të jetë i vetmi mjet i transportit publik që do të kalojë përmes qendrës/sheshit “Skënderbej”. Ndërkaq, koha e nisjes dhe mbërritjes së tramvajit do të jenë të programuara, nuk do të ketë vonesa për shkak të trafikut, sepse nuk do të përdoret korsia e makinës. Po ashtu, linjat e tramvajit do të mundësojnë udhëtimin e pandërprerë, njëkohësisht: brenda qytetit, nga një destinacion në tjetrin, hekurudhë e lehtë, përgjatë rrugëve të tramvajit; nga një qytet në tjetrin, hekurudhë e “rëndë”, rrjeti rajonal hekurudhor. Nevoja për pasjen e këtij transporti modern shkon paralelisht me popullsinë e Tiranës, e cila pritet të rritet edhe me rreth 400 mijë banorë deri në vitin 2020. Sipas Bashksië së Tiranës, koncepti i “Tram Tiranës” kulmon me zgjidhjet e lëvizjes dhe skemën e qarkullimit të Planit të Ri Rregullues të Qytetit të Tiranës 2020, që është edhe programi më i rëndësishëm i zhvillimit strategjik të qytetit.
Rrjeti i linjave Tram Tirana ka një shtrirje prej 20 km linjë urbane, me 30 stacione në zona urbane. Është i organizuar në 6 linja, të cilat mbulojnë një pjesë të gjerë të lagjeve dhe territorit të qytetit dhe kanë si bosht kryesor akset Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim
Tramvaji, me një biletë udhëton kudo për 6 orë
Ndryshe nga lëvizja me autobus, ku duhet të presësh biletën për çdo herë, me tramvaj qytetarët do të kenë mundësinë që me një biletë 6-orëshe të udhëtojnë kudo. Më konkretisht, qytetari, me një biletë unike mund të udhëtojë me autobus, duke bërë këmbimin e mjetit, në stacionin më të afërt të Tram-it, me të njëjtën biletë e cila është e vlefshme për 6 orë nga koha kur bëhet përdorimi i saj i parë, duke e klikuar në sistemin e kontrollit elektronik të biletës.
Shembull:
Sistemet e integruara: Bus-Tram Tirana - me 1 biletë udhëton kudo, i mundëson qytetarit të niset për shembull nga Porcelani, të blejë një biletë në mëngjes, të marrë linjën më të afërt të autobusit për në qendër, ku në stacionin qendror të Tramit merr linjën e Tramit në drejtim të Kampusit Kamëz. Mbasi mbaron aty ditën e punës, kthehet me autobus në qendër e shkon drejt linjës së Komunës së Parisit, përsëri me të njëjtën biletë. Ky shërbim do të garantojë një kapacitet prej 5500 pasagjerësh në orë për drejtim, e nevojshme për të përballuar nevojat e zhvillimit të qytetit dhe për një shërbim të shkëlqyer ndaj qytetarëve.
Linjat, zonat e mbulimit me shërbim
Linja Tram-Tirana 1
Universiteti Politeknik-Kombinat
Nisja: Universiteti Politeknik
Mbërritja: Kombinat
Mbulon:
Korridorin kryesor veri-jug
Ndërthuret te stacioni kryesor hekurudhor,duke kaluar në qendrën e re Tirana XXI,
me drejtim zonën e ish-kombinatit
Një zonë me zhvillim të madh të kërkesës për lëvizje
Kalon në parkimet park&ride/parku&udhëto
Linja Tram-Tirana 2
Universiteti Politeknik-Kampus i Ri Universitar Tufinë
Nisja: Universiteti Politeknik
Mbërritja: Kampus i Ri Universitar
Mbulon:
Korridorin kryesor veri-jug
Ndërthuret te stacioni kryesor hekurudhor, duke kaluar në qendrën e re të Tiranës
XXI, në drejtim të kampusit universitar
Lidh dy kampuset universitare “Tufinë”, qendrën e qytetit me korpusin qendror universitar/”Nënë Tereza”
Linja Tram-Tirana 3
Universiteti Politeknik-Universiteti Bujqësor Kamëz
Nisja: Universiteti Politeknik
Mbërritja: Universiteti Bujqësor Kamëz
Mbulon:
Korridorin kryesor veri-jug dhe ndërthuret te stacioni kryesor hekurudhor,
duke kaluar në qendrën e re të Tiranës XXI, në drejtim të kampusit universitar
Universiteti Bujqësor Kamëz.
Lidh dy kampuset univeristare “Universiteti Kamzës”, qendrën e qytetit me
korpusin qendror universitar
Linja Tram-Tirana 4
Nisja: Universiteti Politeknik
Mbërritja: Parku Paskuqan
Mbulon:
Korridorin kryesor veri-jug dhe ndërthuret te stacioni kryesor hekurudhor,
duke kaluar në qendrën e re të Tiranës XXI, në drejtim të Parkut Paskuqan
Linja Tram-Tirana-Tren 5
Nisja: Tiranë
Mbërritja: Aeroporti Rinas
Kjo linjë është e veçantë për nga fakti se siguron lidhjen direkte dhe pa ndërprerje të qytetit të Tiranës me Aeroportin e Rinasit, duke kaluar nga sistemi tram brenda territorit të qytetit në sistemin tren në dalje të tij.
Linja do të krijojë një mundësi direkte shërbimi me aeroportin, duke lehtësuar lëvizjen dhe dhënë transportit ndërkombëtar një tjetër standard shërbimi dhe për vetë qytetin një akses të ri.
Kjo linjë nuk do t’i shërbejë vetëm Tiranës, por të gjithë zonës përreth korridorit Tiranë-Aeroporti i Rinasit.
Linja Tram-Tren 6
Nisja: Tiranë
Mbërritja: Durrës
Kjo linjë lidh Tiranën me qytetin dhe Portin e Durrësit. Kjo linjë do të krijojë lidhjen për një rajon të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, duke u bërë mbështetës i zhvillimit për një realitet të ri territorial, në këtë zonë ekonomike.