E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana nuk ka nevojë për lëmoshë, kupa shpëton sezonin

Nga ERJON SALIU

DUSHKU SFIDON RIVALET


Nuk presim dhurata nga të tjerët, do të vazhdojmë të tregohemi dinjitozë deri në javën e fundit. Flamurtari-Skënderbeu? Vlonjatët të luajnë për vete

Pas humbjes me Skënderbeun në Korçë, bardheblutë janë përqendruar tek gjyëmfinalja me Flamurtarin, që do të zhvillohet nesër pasdite në kryeqytet. Duke qenë se diferenca me vendin e parë që mbahet nga Skënderbeu ka shkuar pesë pikë, për bardheblutë e vendit të tretë titulli duket një mision thuajse i pamundur, megjithatë mbrojtësi Erjon Dushku shpreson ende, sepse janë edhe pesë javë dhe ai shpreson që të luhet drejt.

Pas sfidës me Skënderbeun dhe në prag të gjysmëfinales së kthimit me vlonjatët, shtatlarti Dushku për Sportin shqiptar, ka pohuar: Normalisht që ne humbëm një betejë, por jo luftën, sepse janë për t’u luajtur edhe 5 javë kampionat. Duke parë edhe kalendarin në vazhdim, ku Skënderbeu ka ndeshje më të vështira, ndoshta pak më të lehta Teuta, besoj se gara është e hapur ende.

Ne kemi lënë pikë më Shkumbinin, Bylisin, por edhe Skënderbeu ka përballje të vështirë më kundërshtarë që kanë objektiva për të mos rënë nga kategoria, kështu që mund të lërë pikë.

Gjithsesi, ne duhet të bëjmë punën tonë, pra të fitojmë në takimet e mbetura në kampionat, pastaj të bëjmë llogaritë e kundërshtarëve.Në qoftë se gara do të luhet drejt deri në fund, unë besoj se do të jetë në të mirë të kampionatit, do të rritet edhe bukuria, qoftë për ato skuadra që synojnë kreun ashtu edhe për mbijetesën.
Gjysmëfinalja Tirana arriti që të fitoi në Vlorë në gjysmëfinalen e parë me rezultatin 3-0 dhe duket se ka siguruar edhe mbërritjen në finale. Megjithatë, Dushku thotë se Tirana nuk duhet që ta marrë lehtë nesër, sepse përballë ka një skuadër si Flamurtari, me kualitete dhe lojtarë me eksperiencë të cilët janë mësuar me përballje të vështira. Në si lojtarë jemi me këmbë në tokë, e kemi harruar atë fitore 3-0 që arritëm në Vlorë dhe do të luajmë nesër ndaj Flamurtarit në kupë për ta fituar takimin.

Nuk duhet të rrezikojmë në asnjë moment rezultatin që kemi marrë në Vlorë dy javë më parë sepse do të ishte me të vërtetë e papranueshme nga të gjithë, për mënyrën se si po rrjedhin ngjarjet dhe po të kemi parasyh se kupa është një nga objektivat kryesorë që ne kemi këtë sezon. Besoj që ne jemi në finale të Kupës së Shqipërisë, sepse do ta kalojmë me sukses edhe përballjen e nesërme me vlonjatët.

Ambienti Humbja me Skënderbeun vazhdon që të lërë gjurmë tek bardheblutë. Ndonëse ka qenë trajneri Rubio ai që fill pas ndeshjes u ka kërkuar lojtarëve ta harrojnë disfatën e Korçës dhe të mendojnë për ndeshjet e radhës, duke filluar që nga Flamurtari, vetë futbollistët e kanë të vështirë ta pranojnë një gjë të tillë. Megjithatë, dje të gjithë në stërvitje kanë filluar me seriozitet të mendojnë për dy ndeshjet me Flamurtarin dhe Tomorin, dy sfidat e kësaj jave që duhen fituar.

Të them të drejtën, humbja në Korçë ka lënë shije të hidhur tek ne, sepse u ndëshkuam në momentin më të mirë, megjithatë ky është futbolli. Ne nuk do të dorëzohemi, por do të jemi dinjitozë deri në ndeshjen e fundit që do të luajmë, qoftë në kampionat ashtu edhe në Kupë.

Në skuadrën tonë lojtarët me eksperiencë janë të shumtë, ndaj tashmë duhet që të mendojmë për dy fitore me kuqezinjtë në kupë dhe Tomorin në kampionat, – theksoi mes të tjerash qendërmbrojtësi i 24 herë kampionëve, Erjon Dushku.

Flamurtari ta mundë për vete Skënderbeun

Në mbyllje të prononcimit të tij, Erjon Dushku ka analizuar edhe kryendeshjen e fundjavës për kampionat. Në Vlorë shkon Skënderbeu, një sfidë zjarri për kuqebardhët. Humbja apo dhe barazimi i korçarëve favorizon Teutën, por edhe Tiranën. Tashmë është e vërtetë që Tirana është në dorë të ekipeve të tjera për titullin.

Por Erjon Dushku thotë se skuadra e tij nuk do të presë lëmoshë nga askush, ndërsa një humbje e korçarëve në Vlorë do ta bënte akoma më tërheqëse luftën për vendin e parë që do të mbetej e hapur. Fjalën ndihmë te Tirana nuk duhet ta pranojmë.

Ne nuk kemi nevojë për ndihmën e Flamurtarit për të pasur shpresa në kampionat. Flamurtari ka objektivat e veta, mund ta fitojë, por edhe ta humbë ndeshjen me korçarët, kështu që neve nuk i shtrijmë dorën askujt.

Kemi luajtur ndeshjet tona, kemi fituar, por edhe humbur, herë kemi zhvilluar lojëra shumë të mira dhe herë më të këqija, por ky është futbolli. Nëse Flamurtari fiton me Skënderbeun në fundjavë e bën për vete, jo për Tiranën apo për Teutën.

Sigurisht që ne dëshirojmë që rivalët tanë të gabojnë, që të përfitojmë, por kurrsesi smund të kërkojmë ndihmë, sepse kurrë skemi pasur nevojën për ndihmë, – u shpreh mbrojtësi Erjon Dushku, i cili në fund të janarit u bë pjesë e zborit që organizoi trajneri i përfaqësueses, Xhani De Biazi.

3 Gola ka shënuar Dushku në këto 21 javë kampionati, me Kastriotin, Tomorin dhe Pogradecin, duke u dhënë plotë nëntë pikë bardhebluve

2 Herë ka dalë në krye të grupeve të Kupës së Shqipërisë këtë sezon skuadra kryeqytetase, madje duke pësuar vetëm një humbje deri në çerekfinale

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›