E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana zyrtare i përgjigjet Beogradit

Burime në MPJ, konfirmuan se palës serbe i është kthyer në mënyrë të menjëhershme përgjigjja dhe Beogradit i është bërë e qartë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë provokimi ndaj Serbisë.

Deklarata vë në dukje se bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, bazohet në respektin e ndërsjellë i cili vjen natyrshëm dhe ka për yll polar, integrimin evropian.

“Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë, janë të vendosur që të ecin përpara me liberalizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe uljen e barrierave”, thuhet në notën pasuese të MPJ shqiptare.

“Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë, ndjek në politikën e saj të jashtme, në mënyrë konsekuente objektivat e përbashkëta për integrimin euroatlantik të vendit dhe Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në reagimin zyrtar të MPJ i cili i ka mbërritur autoriteteve në Beograd.

“Republika e Shqipërisë, është e hapur për çdo nismë që synon integrimin rajonal dhe në këtë kuptim, ajo ka aplikuar heqje të njëanshme të regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Serbisë përgjatë sezonit turistik”, thuhet në pikën tjetër të notës zyrtare të qeverisë shqiptare.

Ndërsa evidentohet edhe fakti se në këtë kuadër, me Malin e Zi po aplikohet një pikë e vetme kufitare, duke besuar se lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe ideve, është mënyra më e mirë për të ecur drejt integrimit evropian të qytetarëve të rajonit.

Në fund të notës zyrtare të MPJ, nuk harrohet të ftohet edhe Republika e Serbisë, si vend fqinjë, që të bashkëpunohet në drejtim të liberalizimit të lëvizjes.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›