E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranasi Gërcaliu, shpresa e futbollit austriak


Nga Austria, Idrit Idrizi
Ronald Gërcaliu, mbrojtësi 22 vjecar i lindur në Tiranë, aktualisht në forcë me Austrinë e Vienës, është thirrur nga trajneri i Kombëtares austriake, Josef Hickersberger, për ndeshjen miqësore kundër Holandës së Marko van Bastenit, takim që do të luhet të mërkurën. IMAZHI I SË ARDHMES Tekniku 59-vjecar Hickersberger është një i apasionuar pas shahut (ashtu si dhe ish-trajneri i Shqipërisë, kroati Oto Baric) dhe një trajner i dashuruar pas surprizave taktike. Mbrojtësi energjik (181 cm), me pasaportë austriake pas refuzimit të Shqipërisë, është edhe imazhi i së ardhmes së futbollit të Alpeve europiane. BUM MENAXHERËSH Ish-lojtari i Shturm Graz do të përpiqet të bëjë një prezantim dinjitoz në ndeshjen e tij të 10-të me përfaqësuesen austriake nisur dhe nga fakti se në stadiumin "Ernst Hapel", përvec presidentit dhe kryeministrit austriak dhe 300 gazetarëve nga e gjithë bota do të jenë të pranishëm zbulues e menaxherë nga Kroacia, Rumania, Franca dhe Skocia, po ashtu edhe të dërguar specialë të ekipeve si Birmingam, Kotbus, Këln, Mënshengladbah, Ipsuic, Bllekbërn dhe Verder Bremen. "DER ALBANER" "Albaner" (Shqiptari), sic thirret shpesh ai në shtypin austriak debutoi me fanellën kuqebardhë të Austrisë në vitin 2005 nën urdhrat e trajnerit Hans Krankl, kandidati numër dy për bankinën shqiptare të lënë bosh nga Oto Baric, por "violinisti" austriak u mund nga holandezi Ari Han. Gërlcaliu konsiderohet si një nga "österreichischen Hoffnungsspieler" (shpresat e futbollit austriak) për Kampionatin Europian 2008, që do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›