Tiranë; Klinika “ABC” firmosi për impotencën e Devid Braunit
Dëshmitë e njëpasnjëshme në gjykatë për rastet e pedofilisë kanë nxjerrë disa herë emrin e një klinike private. Së fundmi, është përmendur gjatë seancës së dy ditëve më parë, si nga fëmija mbi të cilin ishte abuzuar, ashtu dhe nga vetë i pandehuri Devid Braun. Prindërit e 4-vjeçarit të abuzuar seksualisht pohuan para gjykatës se djali i tyre, përpara se të vizitohej, ishte dërguar nga drejtuesit e qendrës për t'u vizituar në klinikën “ABC”. Dhe, sipas dëshmisë së tyre, gjithë ecuria e shëndetit të tij kontrollohej nga e njëjta klinike. Prindërit pohuan se klinika kishte dijeni për abuzimin seksual. Ndërkohë që gjatë procesit rezultoi se e njëjta klinikë kishte lëshuar një raport për impotencën e të pandehurit Xhon Devid Braun, të dhëna që u hodhën poshtë nga prokurori Kolë Hysenaj, i cili solli në gjykatë raporte të ekspertëve mjeko-ligjorë që vërtetojnë të kundërtën. Devid Braun ka deklaruar se mjeku Gaj Eshelman, drejtues dhe po ashtu vullnetar prej vitesh në klinikë, ka firmosur për impotencën e Xhon Devid Braunit. Por, vetë mjeku nuk ka pranuar të japë shpjegime rreth këtij fakti, duke deklaruar se “nuk mund t'ju jap informacion sepse përbën sekret profesional. Mund të mësohet çdo gjë nëpërmjet trupit gjykues. Kam bërë një marrëveshje me pacientët e mi që të mos jap asnjë të dhënë të kartelës së tyre”, - i është përgjigjur insistimit të gazetarëve Eshelman. Ajo që vihej re në klinikë ishte data e licencimit të saj, që mbante vitin 2007, i cili nuk përkon aspak me skandalin seksual, i cili rezulton në vitin 2005, pra dy vjet para licencimit. Në klinikë punonin si vullnetarë 4 persona, me shtetësi angleze e amerikane.