Dënimi; 40 vjet burg për prindërit që vranë vajzën
Gjykata e rrethit Gjyqësor në Shkodër ka dhënë dje vendimin me 40 vjet burg për autorët e vrasjes së vajzës së tyre 11 vite më parë. Trupi gjykues ka marrë për bazë kërkesën e prokurores, e cila ka kërkuar 40 vjet burg për dy të pandehurit, 25 vjet për autorin kryesor të krimit, babain e vajzës, Brahim Facaj dhe 15 vjet për njerkën e vajzës, Nurije Facaj, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në krimin e vrasjes së kryer ndaj vajzës, Afërdita Facaj, 25 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Drisht të komunës Postribë të rrethit të Shkodrës. Policia kishte arrestuar çiftin Facaj me 10 mars të vitit të kaluar, kur gjeti në oborrin e banesës së tyre në fshat kufomën e vajzës, e cila nga ana e banorëve të fshatit konsiderohej e larguar në emigracion. Një veprim i tillë i ndërmarrë nga Brahim dhe Nurije Facaj, në opinion e fshatit interpretohej si një ndëshkim që prindërit kishin marrë ndaj vajzës së tyre. Sipas hetimeve, prindërit, autorë të vrasjes, e kishin paragjykuar vajzën si të pabindur ndaj zakoneve të familjeve veriore, siç ishte rasti në fjalë, duke u larguar nga shtëpia pa lejen e tyre. Krimi i realizuar nga dy bashkëshortët, Brahim dhe Nurije Facaj, mbeti i fshehur për shumë vite, por nga hetimet intensive të policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje dhe vënia përpara drejtësisë e autorëve.