E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sofja përjeton Gërdecin, shpërthen baza e demontimit të predhave



Një seri shpërthimesh të fuqishme kanë tronditur dje kryeqytetin bullgar, Sofjen, ndërsa të dhënat e para flasin për plasjen e 2500 tonë municioneve të vjetruara klasike dhe 15 tonë tritol në depot ushtarake në rajonin Çellopeçene. Ngjarja ka marrë përmasa dramatike duke ditur që bëhet fjalë për një bazë të demontimit të municioneve të kalibrit të rëndë ushtarak. Megjithatë, fatmirësisht deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është folur për viktima në njerëz, por vetëm për dëme materiale. Nga ana tjetër, rreth zonës ku ndodhën shpërthimet është ndaluar qarkullimi i njerëzve, ndërsa gjithçka është duke hetuar nga strukturat shtetërore bullgare.

Shpërthimet janë dëgjuar në orën 6:30 minuta të mëngjesit të djeshëm në rajonin Çellopeçene, një lagje në pjesën veriore të kryeqytetit Sofje. Fillimisht, lindi një zjarr dhe më pas shpërthime. Sipas dikasterit kombëtar “Mbrojtja civile”, nga të dhënat paraprake, janë shpërthyer katër depo, në të cilat ruheshin para asgjësimit të tyre patronë me afat skadimi të kaluar dhe predha klasike artilerie. Sipas të dhënave të autoriteteve bullgare për agjencitë vendase, sasia e përgjithshme e municioneve të ruajtura në depot në momentin e plasjes ishte 2500 tonë municione të vjetruara klasike dhe 15 tonë tritol.

Ndërkaq, Agjencia e Rregullimit Bërthamor pohoi menjëherë se nuk ka burime të rrezatimit radioaktiv dhe të jonizuar. Sipas saj, rrezatimi në rajonet e plasjeve është normal, madje pas matjeve kontrolluese, u vendosën përqendrime të rritura të dioksidit karbonik, të cilat janë në normat e lejueshme.

Ndërkohë, në vendin e incidentit ishte Presidenti Georgi Përvanov, ministri i Mbrojtjes Nikollaj Conev dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bullgare gjeneral Zllatan Stojkov. Ata kanë urdhëruar hetimin e menjëhershëm të shkaqeve të incidentit.

Shefi i kabinetit të Presidentit, Nikolla Kollev, deklaroi se kryetari i shtetit do të ndjekë rastin nga afër, sepse problemi me asgjësimin e municioneve të vjetra është i madh.

Ai i bëri thirrje qeverisë të ndërmarrë të gjitha masat dhe të miratojë vendimin për likuidimin e municioneve të ngjashme. Sipas tij, në mbarë vendin ato numërojnë nga 80000 deri në 100000 tonë.

Deri në orët e pasdites së djeshme, ekipet e Mbrojtjes Civile bullgare kanë vazhduar të punojnë në rajonin e incidentit, në Çellopeçene.

Sipas të dhënave policore, menjëherë pas plasjeve të para nga zona e incidentit u evakuuan afro 750 veta. Më vonë, nga fshatrat përreth u evakuuan edhe 1500 veta të tjerë. Policia bëri të ditur se aktualisht po vazhdojnë matjet në vendbanimet e rajonit, ndërsa nuk ka përqendrime të rritura të lëndëve dëmtuese.

Të dhënat e para tregojnë ndotje të ajrit me pluhur dhe me copëza të ngurta.

Fatmirësisht, në vendbanimet në afërsi të incidentit ka dëme materiale. Situata në rajon gradualisht ka shkuar drejt normalizimit dhe deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk është lajmëruar për viktima.

Aeroporti i kryeqytetit është i mbyllur

Në lidhje me situatën e jashtëzakonshme që lindi pas plasjeve në lagjen Çellopeçene, autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e aeroportit të Sofjes deri në orën 14:30 të ditës së djeshme. Megjithatë, Agjencia Telegrafike Bullgare lajmëroi nga qendra e komunikimit në aeroport se kjo orë mund të ndryshohet në varësi të situatës.

Në rast domosdoshmërie, udhëheqja e aeroportit, Mbrojtja Civile dhe Ministria e Mbrojtjes do të miratojnë vendim për ndryshimin e orës.

KE po studion shpërthimin në Çellopeçene

Komisioni Evropian po studion faktet dhe informatën për shpërthimin në depot ushtarake rreth Sofjes. Sipas korrespondentit të radios kombëtare bullgare në Bruksel, informata është marrë në të ashtuquajturën Hallkë për një mbrojtje civile, më saktë në Qendrën për monitorim dhe koordinim pranë tij. Në këtë qendër mbërriti informata, si dhe kërkesa për ndihmë dhe përkrahje gjatë fatkeqësive të mëdha natyrore ose gjatë ngjarjeve të shkaktuara nga vet njerëzit me pasoja të rënda për mjedisin rrethues dhe shoqërinë. Deri tani nga pala bullgare nuk janë vënë kërkesa për dhënien e ndonjë lloj ndihme ose përkrahje, shtuan burime nga Komisioni Evropian.

Mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë

Të gjitha rreziqet lidhur me incidentin në depot ushtarake në Çellopeçene kaluan. Këtë e tha ministri ushtarak Nikollaj Conev pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, në të cilën u diskutua situata në rajon. “Rreziku më i madh ishte me një depo me 20 tonë trotil, por ai kaloi”, - theksoi ministri. Nuk ka ndotje të ajrit në rajon, vetëm niveli i pluhurit është i rritur pesë herë. Këtë e njoftoi ministri i Ambientit Rrethues dhe i Ujërave, Xhevdet Çakërov. Ministri i Punëve të Brendshme, Mihaill Mikov tha se në etapën e tanishme nuk ka nevojë që banorët e rajonit të evakuohen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›