Madona “çmend” adhuruesit
Mbretëresha e popit ka performuar në koncertin e saj në Budva të Malit të Zi për disa orë me radhë përballë qindra e mijëra fansave. Adhuruesit e saj të mbledhur nga të gjitha trevat e Gadishullit Ballkanik janë mbledhur mbrëmë për të hijuar hitet e saj ndër vite, si dhe produksionet e saj më të fundit. Në këtë koncert të organizuar në plazhin Jaz të Budvës, 50-vjeçarja, sipas të përditshmeve malazeze këngëtarja, pritet të shoqërohet nga bashkëshorti i saj regjisori Guy Ritchie, me të cilin do të qëndrojë për gati tri ditë në bregdetin e mrekullueshëm të qytetit turistik. Disa qindra fansa janë nisur dje nga Shqipëria për në Mal të Zi. Ata kanë paguar 35, 75 euro deri në 200 euro që kushton zona VIP (limituar). Ikona e pop-it mbërriti në Mal të Zi në kuadër të turneut botëror “Sticky & Sweet Tours”, pas disa koncertesh në më shumë se 10 shtetet të Evropës si Francë, Gjermani, Angli, Austri, Itali etj. Më pas këngëtarja do vazhdojë turin e saj në kontinentin e largët SHBA, Kanada, për të përfunduar më 21 dhjetor 2008 në Sao Paulo, Brazil. Madona ka lindur në 16 gusht 1958 në qytetin Bay në shtetin e Miçigan (SHBA). Titullit si “Mbretëresha e Pop-it”, këngëtares amerikane i shtohen dhe një sërë veprimtarish të tjera të rëndësishme si shkrimtaresh të teksteve muzikore, aktore etj. Ajo deri në ditët e sotme ka arritur të realizojë 11 albume diskografike, tre përmbledhje dhe disa singëll ku mund të përmendim: “Madonna” (1983), “Like a Virgin” (1984), “True Blue” (1986), “Like a Prayer” (1989), “I'm Breathless” (1990), “The Immaculate” “Collection” (1990), “Erotica” (1992), “Bed time stories” (1994), “Something to Remember” (1995), “Evita”, “Ray of Light” (1998) dhe “Music” (2000). Disa nga filmat e saj më të njohur janë “Body of evidence” (1993), “Dangerous Games”(1993) dhe filmi “Shanghai Surprise” (1986), ku këngëtarja interpreton përkrah ish-bashkëshortit të saj aktorit të mirënjohur, Sean Penn.