E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Prishtinë, linja e interkonjeksionit 400 kV nis në 2009

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kV Tiranë-Prishtinë do të nisë brenda vitit 2009 dhe do të përfundojë pas 20 muajsh. Lajmi është bërë i ditur dje nga drejtuesit e Operatorit të Transmetimit të Energjisë (OST). Qeveria gjermane pritet të mbështesë me një grant konsulencën dhe mbikëqyrjen e realizimit të projektit për linjën 400 kV të interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë për pjesën shqiptare, si dhe ka siguruar financimin e pjesës kosovare të kësaj linje përmes bankës gjermane KfW. Për realizimin e projektit, një grup i përbashkët pune, me ekspertë shqiptarë dhe kosovarë të sistemeve të transmetimit të energjisë, do të punojnë gjatë muajit shtator për hartimin e një marrëveshjeje të detajuar të punës për ndërtimin e linjës. Burimet e OST-së thanë se kjo marrëveshje do të përfshijë çështje që lidhen me përgatitjen e dokumenteve te tenderit, vlerësimin e tij, mënyrën e operimit për mirëmbajtjen e linjës etj. Projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Tiranë-Prishtinë përfshin ndërtimin e një linje të tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së cilës 85 km në territorin e Kosovës, si dhe fuqizimin e nënstacioneve 400 /220 kV Tirana 2 dhe Prishtinë. Kostoja financiare për këtë linjë llogariten 58 milionë euro, prej të cilës 24 milionë euro për linjën në territorin e Kosovës dhe 34 milionë euro për atë në pjesën shqiptare. Ndërkohë, nga ana kosovare po punohet për ndërtimin e linjës 110 kV Prizren-Kukës, që pritet të ndikojë në stabilitetin dhe ngritjen e sigurisë të të dy sistemeve elektronergjetike, të Shqipërisë dhe Kosovës.

MBUMK kërkon verifikim të farës së misrit nga institucionet ndërkombëtare

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) i ka kërkuar Organizatës Ndërkombëtare të Farërave dhe Fidanëve OECD-s, verifikim dhe analiza të pavarura të farës së misrit, e cila në disa zona të vendit nuk ka dhënë prodhim, por vetëm masë vegjetative. Ditët e fundit, fermerët e disa zonave në Elbasan, Mat, Fier dhe Gramsh, janë ndeshur me problemin e farës së misrit që kanë blerë nga kompania “Agroblend”. Fara nuk ka prodhuar produkt, por vetëm kalli bosh, duke sjellë humbje financiare për fermerët. Përballë kësaj situate, dikasteri i bujqësisë ka ngritur grupet e punës për të verifikuar nga afër arat e mbjella me misër, fara e të cilit ka rezultuar me probleme. Burime nga MBUMK-ja thanë se tregu i farërave dhe fidanëve në vendin tone është një treg i liberalizuar privat i cili funksionin sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Pra në rastin e mësipërm kemi të bëjmë me një marrëdhënie mes bizneseve private, (fermer–kompani tregtare) ku shteti është një rregullator për sigurinë dhe cilësinë e produktit në përputhje me standardet. Nisur nga kjo, kompania “Agroblend” që merret me prodhimin dhe importimin e farërave dhe fidanëve, do të kompensojë të gjithë fermerët që kanë blerë për mbjellje farën e misrit Aliseo, të importuar nga Franca, por që nuk prodhonte kallinj. Sipas drejtuesve të kompanisë, fara e misrit është importuar konform standardeve, por ka rezultuar me probleme gjatë fazës së pjalmimit. Nga të dhënat zyrtare, janë pa prodhim të pritshëm 100 ha misër nga 62 mijë ha që janë mbjellë këtë vit në të gjithë Shqipërinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›