Tiranë; Seks në hotel për 4 mijë lekë, arrestohet 18-vjeçarja
Një 18-vjeçare nga Laçi është kapur në Tiranë, duke prostituuar në hotel kundrejt 4 mijë lekëve të reja për akt seksual. Agjentët e sektorit antitrafik të kryeqytetit ndaluan në flagrancë, rreth orës 23:00 të dy netëve më parë, Sajmira Kalthin, e cila ishte shpërngulur nga qyteti i saj për të siguruar mbijetesën me anë të zanatit më të vjetër në botë. Pasi është ndjekur për disa ditë me radhë nga agjentë të policisë, vajza është kapur në momentin që sapo kishte përfunduar pazarin me një klient dhe ishte ngjitur në dhomat e hotel “Alpin”, në rrugën “Siri Kodra”. Kanë qenë disa informacione të siguruara në rrugë operative që kanë çuar agjentët deri te 18-vjeçarja, e vëzhguar për një javë me radhë. Fakti i arrestimit dhe akuzës për 18-vjeçaren konfirmohet nga burime zyrtare policore. Policia ka shoqëruar edhe klientin e vajzës, i cili ka rrëfyer se kishte paguar 4 mijë lekë të reja për një natë me të, ndërsa kishin rënë dakord për pazarin, ku përfshihej edhe pagesa e hotelit. Më pas, ai është lënë i lirë, ndërsa Kalthi është ndaluar për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit”. Por, ndonëse e kapur në flagrancë, gjatë dëshmisë së saj para oficerëve të policisë, vajza nuk e ka pranuar akuzën e ngritur, duke pretenduar se kishte shkuar thjesht për qejf me të riun. Pas përpilimit të akteve, dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme rreth ngjarjes.