E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Tepelenë-Krujë; Në pak orë, tre aksidente, 2 të vdekur e 5 të plagosur

Tre aksidente me dy të vdekur dhe pesë të plagosur kanë ndodhur gjatë orëve të vona të dy netëve më parë në dy qytete të ndryshme të vendit, konkretisht në Durrës dhe Tepelenë. Aksidenti i parë ka ndodhur vetëm pak kilometra larg qytetit bregdetar, ku një 18-vjeçar nga qyteza e Sukthit në Durrës është gjetur i vdekur rreth orës 22:00, buzë rrugës automobilistike në mes të Sukthit dhe Manzës. Policia dyshon se viktima Tofik Bishti, është përplasur nga një makinë e cila është larguar më pas nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë ndihmën e parë të riut. Policia po heton versionin nëse 18-vjeçari është goditur akisdentalisht apo qëllimisht nga mjeti. Ndërkohë, aksidenti i dytë ka ndodhur në jug të vendit, në Tepelenë, ku një makinë është gjetur në humnerë në rrugën Tepelenë-Progonat, një kilometër në dalje të fshatit Bënçë. Pas një telefonate të bërë nga një bari, grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe u konstatua se në vendin e quajtur Ura e Skaranit, në dalje të fshatit Bënçë, automjeti tip Fiat, me targa TP 0967 B, i cili drejtohej nga shtetasi Selami Qeli, 48 vjeç, ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë, rreth 130 metra të thellë. Në aksident ka gjetur vdekjen drejtuesi i automjetit, Selami Qeli. Në automjet përveç drejtuesit të automjetit, nuk udhëtonte asnjë shtetas tjetër. “Ai punonte si pllakashtrues dhe po zbriste nga Progonati për në Tepelenë”, - thanë të njëjtat burime. Për shkak të terrenit tejet të vështirë, nxjerrja e trupit të viktimës është bërë disa orë më vonë, pas ngjarjes. Ndërkohë që aksidenti i tretë ka ndodhur në rrethin e Krujës. Ngjarja ka ndodhur dy netë më parë në hyrje të qytetit në rrugën Tiranë- Fushë-Krujë. Një makinë tip Benz me targa TR 43 42 I, i cili drejtohej nga Ali Napuka po udhëtonte në drejtim të Tiranes ku dhe është përplasur me një kamion të tonazhit të lartë, me targa TR 23 80 J, i parkuar në anë të rrugës. Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë 5 persona që udhëtonin në autoveturë.

Të plagosurit janë dërguar me urgjence për në Spitalin Ushtrak në Tiranë, ndërkohë që 2 prej tyre në gjendje të rënde. Policia e Krujës ka shkuar menjëherë në vendngjarje, për të zbardhur shkaqet e vërteta të këtij aksidenti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›