E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, ndjekje spektakolare makinash në Bulevard

TIRANE-Një ndjekje spektakolare makinash, e denjë për skenografi filmash të Hollivudit, është parë dje në mes të ditës, në mes të bulevardit. Protagoniste si rrallëherë ishte një femër, ndërsa shënjestra e saj ishte një taksi, brenda së cilës gjendej taksisti, një burrë, për të cilin dëshmitarët e vendit të ngjarjes thonë se ishte njerku, ndërsa policia shprehet se ai ishtë i ati, si edhe një femër. Vajza protagoniste ka përplasur makinën taksi me automjetin e saj tip "Wolkswagen", derisa ka bërë të mundur edhe ndalimin e taksisë.
Ndërkohë nga përplasja e saj janë dëmtuar edhe një sërë makinash të tjera dhe dëshmitarë okularë nga vendi i ngjarjes treguan se u është rrezikuar jeta të paktën pesë personave. Fillimisht në vendin e ngjarjes ka mbërritur një efektiv i rrugores dhe më pas është lajmëruar edhe policia e Tiranës, e konkretisht ajo e komisariatit nr 2. Me të mbërritur në vendin ku e reja kishte realizuar aventurën e saj, policia ka shoqëruar protagonistët. Nga të dhënat që vijnë nga policia e këtij komisariati mësohet se vajza ka dëshmuar se prindërit e saj ziheshin përditë njëri me tjetrin dhe se e ëma e akuzonte të atin e saj që kishte lidhje me femra të tjera. Vajza sapo e ka parë në taksi me një femër tjetër të atin, ka menduar se ishin të vërteta dyshimet e së ëmës, ndaj edhe ka thënë: "Doja të hakmerresha për tradhtinë ndaj nënës sime". Policia bëri të ditur se vajza është lënë e lirë, pasi gjithçka është zgjidhur mes vetë personave.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›