E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, në pranga dy persona, kundërshtuan me dhunë policinë

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur dy punonjës të policisë. Shërbimet e komisariatit të policisë nr. 6 vunë në pranga Altin Pishajn dhe Leonardo Krasniqin, banues në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, arrestimi i tyre u bë pasi akuzohen se para disa ditësh në rrugën “Llambi Bonata”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kundërshtuar duke ushtruar dhunë dhe goditur për shkak të detyrës, duke qenë në shërbim, dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “kundërshtim duke ushtruar dhunë fizike në bashkëpunim ndaj punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “goditjes për shkak të detyrës”. Të dy të arrestuarit pritet të dalin përpara Gjykatës së Tiranës, për të marrë masën e arrestit.

Itali, në pranga 3 shqiptarë, u kapën me kokainë

Policia italiane ka vënë në pranga tre shqiptarë, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Sipas mediave italiane, arrestimi i tyre u bë në apartamentin ku banonin, teksa ishin duke bërë paketimet e dozave të kokainës, që rezultoi të ishte e një cilësie shumë të mirë. Sipas policisë italiane, personat e ndaluar janë të moshës 19, 22 e 27 vjeç dhe mbaheshin prej kohësh nën vëzhgim. Mendohet se grupi i përfshirë në këtë trafik është më i madh dhe janë nën hetim persona të tjerë. Së bashku me sasinë e kokainës, të ndaluarve iu sekuestruan edhe 3 mijë euro që i kishin në banesë dhe disa telefona celularë. Shqiptarët janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës italiane, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për trafik të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›