E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, përurohet Poliklinika e Specialiteteve

TIRANE- Përurohet rikonstruksioni i poliklinikës së specialiteteve numër tre në Tiranë. Me rastin e përfundimit të punimeve, në ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Ambasadori Italian në Tiranë, Sabah Delia. Në fjalën e tij ministri Vasili tha se dikasteri që ai drejton po punon për përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës, teknologjisë dhe forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, me qëllim përmirësimin rrënjësor të shërbimeve dhe përafrimin e tyre me standartet europiane.

“Kam besim që do të jetë shtylla e parë shumë e rëndësishme e sistemit të ri që ne duam të reformojmë. Një poliklinikë e rikonstruktuar si kjo, besoj se ofron më të mirën për qytetarët e Tiranës” u shpreh ministri Vasili.

Nga ana e tij ambasadori Italian në Tiranë, Sabah D”Elia tha se qeveria italiane nëpërmjet donacioneve të ndryshme përkrah zhvillimin e sitemit shëndetësor në Shqipëri. Sipas ambasadorit D”Elia në rikonstruksion janë edhe 5 poliklinika të tjera në disa rrethe të vendit, të cilat kapin shifrën e disa miliona eurove.

“Ministria e Jashtme italiane është duke realizuar 18 projekte në Shqipëri në sektorin e shëndetësisë me një vlerë prej 45 milion eurosh. I japim shumë rëndësi sektorit të shëndestësisë në Shqipëri dhe ky kontribut i Italisë. Ndihma jonë ka të bëjë dhe me asistencën teknike dhe me komponentin e trajnimit që u jepet mjekëve shqiptarë që do të punojnë në këto poliklinika” theksoi ambasadori italian.

Rikonstruksioni i poliklinikës numër tre në kryeqytet u mundësua nga Koperacioni për Zhvillim pranë Ministrisë së Jashtme të Italisë. Poliklinika e re do të pajiset gjithashtu edhe me instrumentat e duhura bio-mjekësor që do të garantojnë një kapacitet diagnostikues të besueshëm.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›