E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, shkëmbim zjarri në rrugën Ali Demi

TIRANË- Shkëmbim zjarri në mes të ditës në rrugën Ali Demi në kryeqytet. Një person ka mbetur i plagosur, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik tek banorët e zonës dhe kalimtarët e rastit. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme rreth orës 14:00.

Shkak për këtë shkëmbim zjarri është bërë një aksident me makinë, ku janë përfshirë mjetet, Suzuki me targë TR 5019 G dhe Reno AA574AI. Pas përplasjes në afërsi të shkollës "Kushtrimi i Lirisë", dy drejtuesit e makinave kanë dalë jashtë, janë konfrontuar fillimisht fizikisht e më pas njëri prej tyre ka shtënë me armën tip pistoletë, që e mbante në makinë.

Mësohet se nga kjo përplasje ka mbetur i plagosur njëri prej drejtuesve, i identifikuar si Roland Tufa. Forcat e policisë së komisariatit nr.1 kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, por nuk kanë mundur të ndalojnë autorin e identifikuar tashmë, nga dokumentat e gjetura në makinën e tij Reno. Ky i fundit është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pasi ka shtënë me armë. Ndërkohë që po merren në pyetje edhe dëshmitarët e rastit, për të zbardhur më shumë detaje. Grupi hetimor i ngritur në vendngjarje ka dokumentar 4 të shtëna dhe 4 gëzhoja pistolete në vendngjarje.

Ndërsa mësohet se personi i plagosur është shoqëruar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›