Ish-të përndjekurit, skema e re e ndarjes së fondit
Individët që janë seleksionuar deri më tani për të përfituar nga fondi i këtij viti, do të marrin edhe më shumë sesa përcakton vetë ligji
"1400 përfituesit e përzgjedhur për këtë vit, përveç masës së dëmshpërblimit me ligj, do të marrin edhe një tjetër shtesë"
TIRANË- Ministria e Financave dorëzohet përpara presionit të Ministrisë së Drejtësisë dhe vendos të pranojë propozimin e kësaj të fundit për të zgjeruar rrethin e përfituesve nga ligji, "Për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë". Kjo, jo vetëm duke u dhënë të drejtën e përfitimit financiar familjarëve të të dënuarve që s'kanë lënë trashëgimtarë, por edhe duke përfshirë në listën e përfituesve kategorinë e atyre personave, që janë dënuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve.
Por, ekzekutivi nuk është mjaftuar me kaq, pasi duket se ka vendosur ta shfrytëzojë këtë rast edhe për përfitime elektorale, duke i krijuar mundësinë atyre individëve që janë seleksionuar deri më tani për të përfituar nga fondi i këtij viti që të marrin edhe më shumë sesa përcakton vetë ligji, pra më shumë se 1 milionë lekë të rinj në një fazë dëmshpërblimi.
Kështu, me propozim të Ministrisë së Financave, Kuvendi ka miratuar nen për nen, por jo në tërësi, midis të tjerave dhe një amendament shtesë, në nenin 12 të ligjit, duke sanksionuar tashmë se fondet do të ndahen jo në mënyrë të barabartë, siç ishte përcaktuar deri më tani, por në mënyrë proporcionale për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara.
Ky është termi që ka përdorur vetë Ministria e Financave në amendamentin e vet, dhe që përmbajtjen e tij e ka shpjeguar dje për "Shekulli"-n zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, sipas të cilit, ky ndryshim ka të bëjë me skemën e shpërndarjes së fondit të përcaktuar kryesisht për këtë vit.
Kështu, Shehu ka shpjeguar se, me anë të këtij ndryshimi, kërkohet t'i jepet një zgjidhje në favor të shtresës së ish- të përndjekurve, problemit që krijohet për shkak të përkufizimeve ligjore në shpërndarjen e gjithë fondit të përcaktuar në buxhetin e shtetit për këtë çështje.
Zëvendësministri ka sqaruar se në bazë të këtij amendamenti, bëhet e mundur që, fillimisht të bëhet një ndarje e fondit sipas parashikimeve që bën ligji aktual dhe më pas, në rast se pas kësaj shpërndarjeje do të teprojnë para, atëherë për të mos i djegur ato, do të bëhet e mundur që kjo tepricë të rindahet në mënyrë të barabartë, po për ata individë që klasifikohen si fitues edhe gjatë fazës së parë.
E thënë ndryshe, ky amendament do të krijojë hapësirën e duhur që, ish- të përndjekurit e klasifikuar si përfitues, gjatë një faze të marrin edhe më shumë se 1 milionë lekë të rinj, masa limit kjo që përcakton ligji aktual.
Një ndryshim i tillë duket se ka më shumë vlerë për 1400 përfituesit e përzgjedhur për këtë vit, të cilët pasi të marrin dëmshpërblimin sipas përcaktimeve aktuale ligjore, do të kenë mundësi të marrin dhe një shumë tjetër shtesë, gjithmonë në përputhje me masën e dënimit që kanë kryer.
I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit ose familjarët e viktimave. Projektligji i paraqitur nga Ministria e Financave, përcakton gjithashtu se, kur ish-i dënuari politik ka vdekur para ose vdes pas depozitimit të kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë, familjarët e përcaktuar në nenin 8 këtij ligji, për çeljen e depozitës bankare, duhet të depozitojnë në Ministrinë e Financave këto dokumente: certifikatën e vdekjes së ish-të dënuarit politik, dëshminë e trashëgimisë së ish-të dënuarit politik, kopjen e vlefshme të dokumentit të identitetit, certifikatën e trungut familjar. Një tjetër amendim i është bërë dhe nenit 32, ku vendoset se Këshilli i Ministrave, brenda vitit 2009, miraton afatet e shpërndarjes së fondeve.