Tjetërsimi i oborreve, penalitet kush abuzon me dokumentacionin
Të gjithë ata persona që abuzojnë duke pakësuar sipërfaqet e truallit në zotërim për të mos paguar detyrimet e sakta ligjore do të penalizohen. Ky ishte vendimi që mori dje qeveria, gjatë disa ndryshimeve në ligjin për “Përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar”. Në këtë draft theksohet se personat do të penalizohen edhe në rast se ata depozitojnë dokumentacion të falsifikuar. “Kërkesa plotësohet sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip përmban një paralajmërim që ngarkon me përgjegjësi, sipas ligjit, subjektin kërkues në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo të depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar”, theksohet në ndryshimet e bëra në ligj. Nga ana tjetër, për të gjithë ata persona që privatizojnë oborret e godinave që kanë në pronësi, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda 30 ditëve, por jo më vonë se 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës e të dokumentacionit nga kërkuesi, shqyrton dhe jep vendim për të. Po kështu, AKKP-ja verifikon dhe përcakton nëse kërkesa e dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara, si dhe saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet. Po dje, qeveria miratoi edhe procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve gjatë procesit të njohjes dhe kthimit apo kompensimit të pronës. Në përcaktimin e këtyre procedurave renditet edhe dokumentacioni ligjor dhe hartografik që duhet në këto raste. Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave miratoi dje edhe mënyrën e re të organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në këtë draft theksohet se drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, përveç detyrave dhe përgjegjësive të parashikuara në ligj, përfaqëson edhe institucionin, atë në marrëdhënie me të tretët. Po kështu, ai ka të drejtën të autorizojë kryerjen e veprimeve të caktuara nga zyrtarë të tjerë të AKKP-së për përmbushjen e detyrave të saj. Nga ana tjetër, drejtuesi i këtij dikasteri raporton, informon dhe i relaton për veprimtarinë e AKKP-së ministrit të Drejtësisë, si dhe zbaton urdhrat dhe udhëzimet e tij. Drejtori i përgjithshëm i raporton me shkrim, periodikisht, çdo tre muaj, Kryeministrit dhe Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financën, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Po kështu ligji ngarkon prefektin e çdo qarku të mbikëqyrë transferimin e arkivit, të logjistikës dhe të mjeteve të punës së zyrave rajonale menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij akti dhe njofton me shkrim Kryeministrin për ecurinë e procesit.
#