E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata nuk e toleron të miturin e Bandës së Pojanit

Vendimi

Pavarësisht moshës së mitur, 17-vjeçari Mehmet Ropi nga fshati Pojan, i akuzuar për vrasjen e pronarit të magazinës në fshatin e tij, shtetasin Nexhat Gega, është lënë në burg nga ana e Gjykatës së Korçës. Ai ka dalë para togave të zeza për vlerësimin e masës së sigurisë dhe nga ana e prokurorit Edmond Shytko është kërkuar arresti me burg. Ndaj të miturit rëndojnë një sërë akuzash për vepra të rënda penale, si vjedhje e grabitje me armë, armëmbajtje pa leje, vjedhje e mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një shtetasi dhe akuza e vjedhjes në bashkëpunim me pasojë vdekjen e një personi. Këto akuza, sipas prokurorit, flasin për një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pavarësisht moshës. Një tjetër arsye e fortë për të mos e lënë të miturin në arrest shtëpie ka qenë argumenti se ai mund të largohet, ashtu siç kishte bërë edhe pas vrasjes së 73-vjeçarit Nexhat Gega. Gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e avokatit Robert Hyska për lehtësimin e masës ndaj Mehmet Ropit, për shkak të moshës së mitur. Sipas avokatit, i mituri ka qenë i implikuar në krime, por jo autor direkt i tyre. Por prokuroria ka paraqitur prova, mes të cilave edhe gjurmët e gishtërinjve të adoleshentit në armën me të cilën u vra më 25 mars i moshuari nga Pojani. Gjykata vendosi ta lërë në burg Mehmet Ropin, sikundër do të qëndrojnë në qeli deri në kohën e gjykimit edhe bashkëpunëtorët e tij Blerim Berberi dhe Nerton Fetahu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›