E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetërsonin pronat, dosja e gjashtë të akuzuarve në gjykatë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Dërgohen në gjykatë të arrestuarit e hipotekës. Dosja për ta është dërguar në gjykatë ku më pas do të hidhet në short që të gjykohet. Mes të hetuarve, 3 zyrtarë të hipotekës dhe një efektiv i SHKB-së. Prokuroria përfundon hetimet dhe dorëzoi dje në gjykatë dosjen e hipotekës me gjashtë të pandehur mes tyre 3 ish-zyrtarë dhe një ish-oficer i SHKB-së. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se mbi zyrtarët rëndojnë akuzat e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës. Sipas prokurorisë, zyrtarët Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hyka dhe ish-oficeri Dalil Hakorja tjetërsonin pronat në mënyrë të paligjshme.
Dosja
Një oficer i Shërbimit të Kontrollit Brendshëm, Dali Harkorja, tre ish-punonjës të Hipotekës dhe dy sekserë janë vënë nën akuzën e tjetërsimit të pronës. Pas një serë hetimesh, të nisura pas denoncimeve të qytetarëve shërbimet e Taks Forcës kanë vënë në pranga gjashtë të dyshuarit për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv. Prokuroria dhe policia, kanë arrestuar 3 zyrtarë të Hipotekës së Tiranës. Ndërkohë, bashkë me zyrtarët janë arrestuar edhe dy sekserë. Ata janë zyrtarët e Hipotekës, Enton Babameto, Artan Mehmeti dhe Ramiz Hykaj, si dhe sekserët Veiz Senko, Halil Hima e oficeri i SHKB-së, Dali Harkorja. Në këtë mënyrë numri i zyrtarëve të arrestuar për abuzime me pronat shkon në 29. Deri mbrëmë vonë policia nuk dha detaje të hollësishme, por burime të besueshme nga policia thanë se përgjimi ka qenë prova më e sigurt për prangosjen e tyre.
Arrestimi
Një grup i posaçëm, i ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Task-Forcë në prokurori, kanë bërë të mundur zbulimin e vendndodhjes së 3 zyrtarëve që kishin abuzuar me pronat, më pas edhe të tre sekserëve, njëri prej tyre punonjës policie. Vetëm disa minuta më pas ka ardhur edhe arrestimi i tyre. Burime nga policia bënë të ditur se operacioni vazhdon ende, pasi pritet të ketë edhe arrestime të tjera, për të tjerë bashkëpunëtorë. Enton Babameto, Artan Mehmeti dhe Ramiz Hykaj, të tre specialistë në Zyrën e Regjistrimit të Pronave në Hipotekën e Tiranës, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente pronësie, për prona të ndryshme në periferi të kryeqytetit. Veç kësaj, ata dyshohet se kanë kryer mbivendosje pronash në momentin e regjistrimit të tyre në Hipotekë, kjo në këmbim të shumave të majme parash.
Si funksiononte grupi i falsifikatorëve të tokave
Shitblerja e tokave, falsifikimi i tapive apo edhe mbivendosja e pronave gjatë regjistrimit kanë dërguar në pranga jo pak zyrtarë të lartë, si kryekomunarë, punonjës të kadastrës, etj. Së fundmi, radha u ka ardhur edhe atyre që bëjnë hapin e fundit në regjistrimin e pronave, punonjësve të Hipotekës. 3 zyrtarë të Zyrës së Regjistrimit të Tokave në Hipotekën e Tiranës kanë pasur gjithçka në dorë që jo vetëm të pranojnë dokumente false nga persona të tretë, që në këtë rast ishin sekserët, por edhe të kryejnë mbivendosjen e pronave gjatë regjistrimit të tyre. Sekserët u dërgonin Enton Babametos, Artan Mehmetit dhe Ramiz Hykajt dokumentet e pronësisë të falsifikuara dhe këta, përveç shkeljes që i pranonin, kryenin edhe një shkelje më të rëndë, mbivendosnin pronat. Por kjo gjë për ta ishte një veprim që kushtonte dhe në këtë mënyrë përfitonin shuma të majme parash.

TE ARRESTUAR

1. ENTON BABAMETO, punonjës i Hipotekës së Tiranës

2. ARTAN MEHMETI, punonjës i Hipotekës së Tiranës

3. RAMIZ HYKAJ, punonjës i Hipotekës së Tiranës

4. VEIZ SENKO, kryente rolin e sekserit

5. HALIL MEHMETI, kryente rolin e sekserit

6. DALI HARKORJA,
oficer i shërbimit të Kontrollit të Brendshëm
Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›