“Tmerri i gjimnazistëve”, në gjyq për tre përdhunime

04/05/2005 Prokuroria e Tiranës ka nisur dje për shqyrtim gjyqësor, dosjen hetimore në ngarkim të Elidon Himës dhe Vehap Bibës, të akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë në bashkëpunim. Lajmi është bërë i ditur dje, nga burime pranë organit të akuzës, të cilat sqaruan se kanë përfunduar hetimet ndaj dy të pandehurve dhe janë provuar tre raste të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë. Burimet pohojnë se në cilësinë e provës kanë dëshmitë e të dëmtuarave, të siguruara para gjykatës, ekspertizat mjeko-ligjore, nga ku është konkluduar se Hima ka kryer marrëdhënie seksuale me tri denoncueset. Sipas Prokurorisë, në ekspertizat mjeko-ligjore janë përcaktuar qartë shenjat e dhunës si dhe provuar kryerja e marrëdhënieve seksuale. Ndërkaq, policia ka siguruar informacione edhe për dhunime të tjera të vajzave nga ky grup, por që nuk janë dokumentuar dot. Më 4 nëntor të vitit të kaluar, policia e kryeqytetit arrestoi Elidon Himën, Vehap Bibën dhe një 17-vjeçare me origjinë nga Tropoja. Burimet policore thanë atëherë se dy djemtë përdornin vajzën si karrem për të tërhequr bashkëmoshatarët e saj, të cilët, pasi i dehnin me alkool, i çonin në një hotel në periferi të Tiranës. Por e mitura 17-vjeçare me inicialet M.P., ka pohuar atëherë para togave të zeza se Hima e kishte detyruar me anë të dhunës që të vepronte kështu. Ajo ka pohuar se Elidoni e kishte përdhunuar atë fillimisht dhe se në duart e tij kanë rënë pre edhe 18 vajza të tjera, të cilat pas përdhunimit kërcënoheshin me jetën. Sipas saj, kjo histori kishte filluar që prej dy vitesh dhe se kishte asistuar disa herë në përdhunimet që kishte kryer Elidoni. Vetë vajza është shprehur para gjykatës se ishte përdhunuar në prani të një vajze tjetër, po e mitur. Burimet e Prokurorisë sqarojnë se është arritur të provohen vetëm tre përdhunime. Një, ajo e vetë 17-vjeçares që dëshmoi se kishte asistuar disa herë në përdhunimet e kryera nga Hima, për shkak se e kishin kërcënuar me jetë atë dhe familjen. Tjetra me një nga kamerieret e hotel “Sheraton“ dhe një femër në Kombinat, përfundojnë burimet e Prokurorisë.