E Diel, 1 Nëntor 2026

Toka bujqësore, tituj pronësie për 200 shtetas

07/04/2009  Komisioni vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë, në verifikim 1400 ankesa

KORÇE- Më shumë se 200 familje të qarkut Korçë tashmë gjenden në pritje të marrjes në dorëzim të aktit të pronësisë mbi tokën bujqësore. Që të gjitha këto familje kanë patur probleme me aktin e tyre të pronësisë, (jo për faj të tyre, por për faj të të tretëve), të cilët edhe pse kishin bërë të gjitha përpjekjet për t’i zgjidhur ato, deri më sot nuk kishin mundur t’ia dilnin dot mbanë. Tashmë do të jetë Komisioni vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë mbi tokën bujqësore, i ngritur pranë prefekturës së qarkut Korçë, ai që do të pajisë këto familje apo persona me aktin e rregullt të pronësisë. Informacioni në fjalë është bërë i njohur nga drejtori i komisionit të sipërpërmendur, Gerald Blaceri, i cili solli një informacion të detajuar se si do të operohet me zgjidhjen e të gjitha problemeve që kanë mbajtur peng deri më sot pronësinë e ligjshme të shumë qytetarëve.

Aktet e pronësisë

Sipas Gerald Blacerit, drejtor i Komisionit vendor për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, dhënia e akteve të pronësisë do të jetë e bazuar vetëm mbi ligjin e ndarjes së tokës, nr 7501. Për këtë arsye, ndërsa ky komision do të japë aktin e pronësisë në të njëjtën kohë do të ketë zgjidhur përfundimisht edhe çdo lloj problemi që mbante peng aktin e pronësisë mbi tokën për më shumë se 200 familje. Familjet e prekura nga padrejtësitë u përkasin kryesisht tre rretheve të këtij qarku, Korçës, Pogradecit dhe Devollit, ndërsa shumë më pak rrethit të Kolonjës. Megjithatë, mësohet se ankesa dhe kërkesa të depozituara pranë Komisionit vendor për Verifikimin e Titujve të Pronësisë nuk kanë ardhur vetëm nga qytetarët, por edhe nga institucionet shtetërore, siç janë zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por edhe nga komunat e këtij qarku. Vetëm nga këto të fundit janë depozituar 1400 ankesa, çka do të thotë se Komisioni vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë do të ndërhyjë edhe në një sërë pronësish të tjera, ku persona të ndryshëm kanë fituar pronën në mënyrë të padrejtë. Në këtë rast bëhet fjalë për ndarjen e tokës pronë shtetërore, ku përfituesit do të evidentohen në ditët në vijim, të cilat pas kësaj procedure do të jenë të detyruar të humbasin pronat e tyre.

Zgjidhja

Por ndërsa aktualisht është realizuar evidentimi i të gjitha kërkesave dhe ankesave nga qytetarët dhe institucionet shtetërore, drejtori i këtij komisioni Blaceri, ka sqaruar më tej se ky komision tashmë ka të gjitha mundësitë ligjore për të korrigjuar gabimet në aktin e pronësisë dhe njëherazi për pajisjen e qytetarëve me aktin e ri të pronësisë. Sipas Blacerit, gjithçka ka marrë udhë fill pas daljes së Vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton të gjitha procedurat se si do të operohet në çdo rast, çka do të thotë se këto procedura saktësojnë se, si do të krijohet akti i ri pronësisë, i cili duhet të dalë në sajë të korrigjimeve që do të kryhen mbi aktin e vjetër të pronësisë. Me daljen e këtij vendimi, komisioni në fjalë do të procedojë me fazën tjetër të këtij procesi, që do të thotë se do të vijohet me rregullimin përfundimtar të akteve të pronësisë që deri më sot kanë patur probleme. Tashmë kur ky proces ka nisur të implementohet, 200 familje kanë nisur të qëndrojnë në pritje të përgjigjes konkrete dhe ligjore, por njëherazi edhe në pritje të marrjes së aktit të pronësisë. Sigurisht që në përfundim të këtij procesi, ndërsa do të jenë të evidentuara shkeljet ligjore, ndërkohë do të jenë evidentuar edhe shkelësit e ligjit, çka do të thotë se askush nuk do të mund t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore.

Shkeljet ligjore

Drejtori i Komisionit vendor për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, Gerald Blaceri, ka evidentuar shkeljet ligjore, të cilat kanë dëmtuar familjet e qytetarëve për vite të tëra me radhë. Sipas Blacerit, shkeljet ligjore ekzistojnë në disa drejtime, ku si më të rëndësishmet mund të renditen: Keqinterpretimin e ligjit 7501 për ndarjen e tokës bujqësore; mospërputhja e sipërfaqes së tokës me aktin e pronësisë; trajtimi i familjeve me më pak tokë nga sa u takonte nga ndarja e tokës në përputhje me kërkesat e ligjit; mungesa e aktit të pronësisë edhe në ato raste kur toka bujqësore është dhënë në pronësi dhe së fundi është evidentuar fakti se në mjaft raste janë ndarë edhe sipërfaqe toke, të cilat kanë qenë në pronësi të shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›