Toka që spunohet, 5 vjet me qira, pronari merr 80% të saj
Pronari i tokës do të marrë 80 % të vlerës, 20 për qind do ta marrë pushteti vendor
Toka që nga pronorët e saj lihet djerrë, do të merret në zotërim nga shteti dhe do të jepet me qira. Pronari i tokës do të marrë 80 për qind të vlerës së tokës, ndërsa 20 për qind do ta marrë pushteti vendor, i cili do jetë ai që do lidhë kontratën e qirasë. Pesë vjet do jetë kontrata e qirasë dhe më pas ajo mund të ripërtërihet nëse pronari nuk e vë në përdorim tokën. Të gjitha këto i parashikon projektligji "Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara", që është diskutuar dhe miratuar dje nga Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese. Ky ligj parashikon që të nxisë fermerët për rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe forcimin e sektorit agrar. Me anë të këtij ligji përcaktohen rregullat dhe procedurat për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, për të garantuar funksionin social të pronës, në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe rural. Kreu i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Jemin Gjana, tha se projektligji i ri parashikon dhënien me qira për mbjellje të të gjitha tokave të pakultivura. Sipas tij, në këtë kontekst, tokat e klasifikuara si toka të pakultivuara u jepen me qira të tretëve, vetëm për kultivimin e bimëve të arave, për jo më shumë se 5 vjet dhe pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk ka drejtë të bëjë kërkesë për kultivimin e kësaj toke deri në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratën përkatëse të qirasë. Gjana sqaroi se me mbarimin e kontratës së qirasë, komuna ose bashkia ka të drejtën e qiradhënies së kësaj toke, nëse pronari ose poseduesi i ligjshëm nuk ka ushtruar kërkesë për kultivimin e saj.