E Shtunë, 31 Tetor 2026

SIGAL Holding, aktiviteti rritet me 21% në 2009

Kjo rritje ka ndodhur në tre tregjet e tre shteteve ku operon SIGAL Holding

Ndonëse viti 2009 ishte një vit i vështirë për ekonominë botërore e për rrjedhojë edhe për atë shqiptare, kjo duket se nuk ka ndikuar shumë në aktivitetin e SIGAL Holding, që ushton aktivitet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. SIGAL përgjatë vitit 2009 pati një rritje prej 21 për qind në tregun e sigurimeve. Për të bërë analizën e vitit 2009, u organizua në Ohër takimi i stafit drejtues të SIGAL Holding. Në takimin në të cilin morën pjesë drejtori i Përgjithshëm, z. Avni Ponari dhe drejtorët e Departamenteve dhe degëve të SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA Shqipëri (Jo-Jetë), SIGAL Life UNIQA Group Austria (Jetë), UNIQA a.d Shkup (Jo-Jetë) dhe SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA Kosova (Jo-Jetë), u diskutua për objektivat e vendosura për vitin 2009, realizimin e tyre dhe rritjen vjetore. Rritja e grupit përgjatë vitit të vështirë financiar 2009 ishte 21.33%, e cila i referohet një volumi të përgjithshëm primesh prej rreth 32 milionë eurosh. Kjo rritje ka ndodhur në tre tregjet e tre shteteve ku operon SIGAL Holding, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Sipas raporti vjetor, SIGAL UNIQA Group Austria, që operon në Shqipëri, në tregun e sigurimeve të jo-jetës pati një rritje të volumit të përgjithshëm të primeve prej 20.6%, ndërkohë që rritja e tregut vendas ishte 9.04% dhe në tregun e sigurimeve të jetës pati një rritje mbresëlënëse në volum primesh prej 89.39%, ndërkohë që rritja e tregut të sigurimeve të jetës ishte 39.79%. UNIQA a.d Shkup, që operon në Maqedoni, në tregun e sigurimeve të jo-jetës pati një rritje prej 9.71%. Ndërsa, SIGAL UNIQA Group Austria Kosova, që operon në tregun e sigurimeve të jo-jetës për Kosovën, pati një rritje prej 15.56%. Ndërkohë, një tjetër tregues i rëndësishëm për 2009-ën ishte rritja e rezervave të Kompanisë me 34% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa, për sa u përket dëmeve të paguara në total nga SIGAL Holding, gjatë 2009-ës pati një rritje prej 14%, që i korrespondon vlerës prej 8.6 milionë euro dëme të paguara. SIGAL UNIQA Group Austria sh.a. operon që prej 11 vjetësh në tregun shqiptar të sigurimeve për të gjitha klasat e sigurimeve të jetës, jo-jetës dhe ri-sigurimeve, si dhe ka një shtrirje të gjerë në Kosovë dhe Maqedoni.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›