E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat në përdorim, procedurat për shitjen

10/03/2009  PD miraton e vetme ndryshimet në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”

Opozita dhe republikanët kundër qeverisë: Nuk kënaqen interesat e ish-pronarëve

Partia Demokratike ka votuar e vetme projektligjin e qeverisë, që u jep të drejtën shoqërive tregtare të privatizojnë truallin ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ndryshimi i parashikuar në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” është kundërshtuar nga deputetët e opozitës dhe nga republikani Arian Madhi. Rezerva ka shprehur edhe deputeti i PBDNJ-së Spiro Peçi, i cili abstenoi për këtë projekt. “Jam kundër këtij projekti, pasi nuk e gjej në përputhje me interesat e ish-pronarëve”, - ka deklaruar republikani Madhi, i tradhtuar edhe nga deputeti tjetër i PR-së Galip Ramadhi, i cili përkrahu projektin e qeverisë. Kundër projektit kanë votuar edhe deputetët e opozitës, të cilët e argumentuan votën e tyre me përplasjen e projektit me Kushtetutën. “Jam kundër këtij projekti, sepse ai shkel Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Me këtë votë ‘pro’ po votoni shpronësimin për interes të qiramarrësit. Projekti nuk ka një vlerësim të saktë për shoqëritë tregtare dhe ai parashikon vetëm dy forma kontraktore. Kjo na bën të dyshojmë se projekti bëhet për të mbyllur favoret e disa personave që kanë kompani fantazmë për të përfituar troje”, - tha deputeti i PS-së Besnik Dervishi. Ndërsa deputetët e PD-së vlerësuan projektin me zgjidhjen që ai afron, sipas tyre, për marrëdhëniet mes këtyre kompanive, ish-pronarëve dhe shtetit. “Na takon të votojmë pro projektit, pasi detyra jonë si ligjvënës është të krijojmë qëndrueshmëri dhe siguri në marrëdhënien e pronës, duke gjetur zgjidhjen e artë. Për mendimin tim zgjidhja e artë është të kënaqim secilën palë dhe jo të mbajmë flamurin e njërës. Kjo është pikërisht të presësh litarin e mbetur jashtë që nga koha e diktaturës”, - tha kryetari komisionit, deputeti i PD-së Ilir Rusmali. Në reagim të këtij deklarimi është përgjigjur deputeti i PS-së Pandeli Majko. “Është ironia më e madhe që ju sot diskutoni për litar, po nëse ka një litar, nuk është këtej majtas, por është në krahun tuaj. Dhe e kemi parë, për fat të keq, që po e tërhiqni dita-ditës këtë litar”, - tha ai. Projekti i qeverisë, sipas shpjegimeve edhe të ekspertit të Ministrisë së Ekonomisë Alfred Rushaj, ka parasysh kompani të përbashkëta, me kapital shtetëror dhe privat, të krijuara pas viteve 1991–1995. Në pjesën më të madhe të këtyre kompanive nuk u është dhënë në pronësi, por u është dhënë në përdorim. Janë rreth 100 kompani të krijuara në këta vjet, por s’di saktësisht sa janë ato që kanë një problematikë të tillë. “Së pari, do të shihet se sa tokë u duhet kompanive për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Së dyti, t’u ofrohet mundësia që atë pjesë që u duhet ta blejnë sipas çmimit të tregut. Ky fond që do të merret nga ky transaksion t’u kalohet ish-pronarëve që u njihet e drejta e pronësisë mbi atë pjesë toke. Nëse nuk ka, i kalohet fondit të AKKP-së për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Ndërsa pasuritë shtetërore për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronës, shiten me ankand dhe të ardhurat shkojnë për kompensim financiar”, - sqaroi ai. Qeveria nuk disponon asnjë llogari të saktë se sa do të jetë përfitimi financiar nga zbatimi i këtij projektligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›