E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik droge me autobusin e Athinës, ndalohen dy shoferët

10/03/2009  Kishin fshehur në tavanin e mjetit 55 kg drogë të llojit marihuanë

U shoqëruan bashkë me ta dhe 4 pasagjerë, të cilët u liruan më pas

KAKAVIJE - Policia kufitare e Kakavijës ka ndaluar në orët e para të së hënës dy drejtuesit e një autobusi të linjës ndërkombëtare Tiranë-Athinë, ku gjatë një kontrolli rutinë u zbuluan 55 kg lëndë narkotike të llojit marihuanë. Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e kufirit dhe migracionit pohuan se “Ferdinand N., 48 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë dhe Ilia G. 38 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, janë dy shoferët e autobusit me targë TR 74 54 L, i shoqërisë Lilo Tours". Sasia e drogës u gjet e fshehur në pjesën e jashtme të tavanit të mjetit dhe ajo ishte e vendosur në disa pako, të mbështjella me letër natriban. “Në autobus ndodheshin vetëm katër pasagjerë, të cilët së bashku me dy drejtuesit e mjetit u shoqëruan në policinë e Gjirokastrës. Pas hetimeve paraprake, si posedues të lëndës narkotike u identifikuan dy shoferët”, thanë burimet zyrtare. Ndaj dy drejtuesve është ngritur akuza “trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Ata janë shoqëruar për në ambientet e komisariatit të Gjirokastrës, ku do të merren në pyetje për mënyrën e sigurimit të drogës dhe kontakteve që kanë pasur ata me të tjerë të përfshirë. Një ditë me parë, policia lokale e Gjirokastrës, në bashkëpunim me strukturat e policisë së shtetit, sekuestruan në Lazarat 500 kilogram marihuanë, ndërsa ndaluan dy persona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›