E Diel, 1 Nëntor 2026

Tom Kola: Asnjë dosje biznesi nuk mund të ndryshohet

11/04/2009  Çështja “Balliu”

Asnjë dosje biznesi nuk mund të ndryshohet nga njerëz të jashtëm në sistemin elektronik të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Drejtori i QKR-së, Tom Kola, duke sqaruar rolin e institucionit që ai drejton në çështjen e shoqërisë “TDC”, me aksioner Henris Balliun, vajzën e Fahri Balliut dhe Mihal Delijorgjin, theksoi se QKR-ja funksionon në bazë të sistemit elektronik, i konfiguruar në formë të tillë që çdo veprim pasqyrohet dhe ruhet me besnikëri dhe saktësi në memorien elektronike të regjistrimit të të gjitha veprimeve që kryhen në sportele. Sipas tij, sistemi elektronik i QKR-së nuk mund të manipulohet nga njeriu dhe si pasojë e kësaj filozofie çdo dosje biznesi nuk mund të ndryshohet, fshihet, shtohet apo të pakësohen të dhënat. Ai e konsideroi krejtësisht të pavërtetë këtë akuzë. “Në datën 8 prill 2009 u paraqit pranë sportelit të QKR-së personi i autorizuar nga administratorja e kompanisë në fjalë dhe aplikoi për dhurimin e kuotave të aksioneres Henris Balliu në favor të Kristo Delijorgjit. Pasi u shqyrtua rregullsia e dokumentacionit ky aplikim u miratua nga QKR, duke realizuar në këtë mënyrë vullnetin e lirë të aksioneres Henris Balliu. Ky veprim i miratuar në QKR solli për pasojë ndryshimin e listës së ortakëve të shoqërisë "Trans Digging Construction" në regjistrin tregtar”, - tha Kola. Sipas drejtorit të QKR-së, në ekstraktin e gjendjes aktuale të shoqërisë nuk figuron më emri i aksioneres Henris Balliu. Drejtori i QKR-së i konsideroi gjithashtu të pavërteta akuzat për mosbashkëpunim institucional me Prokurorinë e Përgjithshme për dosjet e shoqërive në pronësi të Mihal Delijorgjit. “QKR ka vënë në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme gjithçka ka poseduar për personin në fjalë si për rastin kur është kërkuar informacion nga regjistri tregtar dhe për rastet kur është kërkuar sekuestrim i dosjeve. QKR-ja për të ndihmuar Prokurorinë e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje kësaj të fundit në një periudhë kohe jo më shumë se gjashtë ditë kalendarike, pavarësisht se obligimi ligjor parashikon dyzetë ditë për kthim zyrtar të përgjigjeve”, - theksoi Tom Kola. Sipas tij, këto fakte vërtetohen nga korrespondenca e QKR-së me Prokurorinë e Përgjithshme, e cila është e protokolluar në institucion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›