E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri: Anëtarësimi në NATO, Rama të bashkohet me ne, festa vazhdon

Deputeti i PD, Ferdinand Xhaferri në kundërshtim të opozitës deklaroi se sheshi Skëndërbej demonstroi gëzimin e 95 për qind të shqiptarëve. Ndërsa sipas tij, lideri i opozitës është vetë izoluar, është futur në guaskë dhe nuk shfaqet. Duke iu drejtuar opozitës, Xhaferri tha se për çështjen e Kosovës ju kemi mbështetur, thjesht lideri i opozitës ka inatin që këtë e arriti mazhoranca.
Xhaferri i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës dhe liderit të tyre të festojmë së bashku, sepse festa vazhdon. Nuk është mirë të ekspozohet kështu edhe para mbështetësve të tij, nuk ka arsye pse të izolohet, pse të mbyllet në guaskë, lideri i opozitës, u shpreh Xhaferi, duke iu drejtuar opozitarëve. Qytetarët ju kanë provuar për tetë vjet dhe e dinë mirë se cilën forcë do të mbështesin, u shpreh ai. Sipas tij, nëse i hedhim një sy pas historisë zëri i shqiptarëve nuk është dëgjuar as në Kongresin e Berlinit. Xhaferri theksoi se që nga dje zëri i Shqipërisë qindra vjeçare fiton krenari. Ai deklaroi se anëtarësimi në NATO tregoi se i kemi certifikuar reformat dhe standardet. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka akoma probleme për të zgjidhur, jemi një vend i varfër, u pranuam në NATO, sepse kemi vullnetin të ecim sipas vlerave të aleancës. Shqipëria e nesërme do të jetë më mirë, sesa Shqipëria e sotme. Kjo është garancia që u afron shqiptarëve kjo mazhorancë, tha Xhaferri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›