Topalli- Ramës: Qeveria do të vazhdojë rritjen e rrogave dhe pensioneve
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka hedhur poshtë deklaratën e Ramës, për mosrritje të rrogave dhe pensioneve nga qeveria. Gjatë një takimi të zhvilluar me gratë e Peqinit, Topalli ka theksuar se qeveria shqiptare do të rris ndihmën për çdo qytetar që ka nevojë. Para pak ditësh Edi Rama tha se ju nuk guxoni të rrisni më rrogat dhe pensionet. I them nga Peqini se ne do të vazhdojmë të rrisim edhe rrogat, edhe pensionet. Kryeministri Sali Berisha ka nënshkruar kontrata me një vlerë prej 3.4 miliardë dollarësh.
Ky është një sukses i paparë, i paimagjinueshëm. Dhe në momentin kur Kryeministri i nënshkroi këto, Edi Rama i tha se unë nuk i njoh. I them se këto kontrata janë nënshkruar dhe në mandatin e ardhshëm do të jetë një realitet, se këto kontrata do të thonë para, do të thonë më shumë para për qytetarët, më shumë rroga, më shumë punësim, është shprehur ajo. Duke vazhduar akuzat e saj ndaj kryebashkiakut Rama, sipas saj në Peqin janë shtruar 7 herë më shumë rrugë sesa në Bashkinë e Tiranës. Ndër të tjera, gjatë fjalës së saj, kryetarja e parlamentit ka përmendur edhe përgjysmimin e taksave, që sipas saj është një premtim i bërë realitet. Në takimin e zhvilluar në Peqin, ajo ka falënderuar gratë për mbështetjen dhe besimin që i kanë dhënë reformave të ndryshimit të Shqipërisë.