E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Do të luftojmë çdo mafioz të veshur apo jo me kostum zyrtari

08/12/2009  Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në hapje të konferencën rajonale “Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Evropës Juglindore në BE” garantoi të pranishmit se reformat në vendin tonë nuk do të ndalen. “Shqipëria nuk është vetëm një vend i NATO-s, ajo ka kapur një tjetër stacion të rëndësishëm. Më 16 nëntor 2009 BE-ja e pranoi kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat. Kjo ishte po aq e rëndësishme sa ishte ftesa për në NATO. Për të gjitha këto u deshën reforma të mëdha, që nuk ndalen, përkundrazi, do të përshpejtohen edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm. Ne do vazhdojmë t’i bëjmë betejë çdo interesi kriminal apo mafiozi të veshur apo jo me kostum zyrtari për t’u shpërblyer me BE-në. Ne jemi në një fazë të re me sfida të reja, që kërkon përgjigje të reja”, - deklaroi Topalli. Ajo e cilësoi konferencën si një afirmim të vendosmërisë së vendeve pjesëmarrëse për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. “Ky është një inkurajim për vendet si Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Serbia, që ende nuk janë anëtare të NATO-s. Shqipëria si anëtare e saj ka kontribuar dhe po vazhdon të kontribuojë në sigurinë e rajonit, por jo vetëm të rajonit”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›