E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Aplikoni për karta

Gramsh -Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha është ndalur në komunat Pishaj dhe Kodovjat të Gramshit, ku ka zhvilluar takime me banorët e këtyre zonave. Basha u ka bërë thirrje banorëve të këtyre komunave të marrin letërnjoftimet elektronike ndërsa ka parë nga afër qendrën e aplikimit në komunën Pishaj ku kryhen rreth 80 aplikime në ditë, proces i cili do t’i hapë rrugë dhe aplikimit për pasaporta biometrike. Ministri tha se askush nuk do të guxojë më të përçmojë pasaportat e reja të shqiptarëve nëpër pikat kufitare të çfarëdo shteti të Evropës.

“Askush të mos guxojë të mos tregojë më respekt për pasaportat shqiptare apo ta zhubravisë, apo ta grisë atë. Por me atë pasaportë, pa vize, të kaloni si zonja dhe zotërinj në cilindo shtet të Evropës”-theksoi Basha. Në bashkëbisedimin me banorët, Basha tha se besimin që qytetarët i dhanë në 2005, kjo mazhorancë e shndërroi në dyfishim pagash e pensionesh, përmirësim të infrastrukturës rrugore, arsimore, shëndetësore, ujësjellës e kanalizime dhe në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO prandaj, tha Basha, kjo mazhorancë kërkon një kontratë tjetër besimi për të vijuar më tej projektet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Në bazë të veprave që kryejmë, na besoni përsëri. Ne nuk vijmë me xhufka në ajër, as me premtime boshe, as me gjuhën e helmit që përbuz dhe hedh poshtë arritjet e gjithë shqiptarëve”-tha më tej ai. Ministri Basha ka bërë të ditur se shumë shpejt do të nisë asfaltimi i plotë i rrugës që lidh Gramshin me Kodovjatin, rrugë 15 km e gjatë. Ministri Basha premtoi rikonstruksionin tërësor të shkollës dhe palestrës në komunën Kodovjat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›