Topalli: Imuniteti në 6 gusht. Opozita do mbajë përgjegjësi politike
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka bërë sërish thirrje opozitës të votojë më 6 gusht ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit. Në një deklaratë për mediat, pas takimit me homologun jordanez, Topalli tha se opozita duhet të bëhet pjesë e këtij votimi pasi në të kundërt ajo do të mbajë përgjegjësi politike. “6 gushti është momenti për të votuar, jo për të folur, jo për ta zgjatur më. Është momenti për të votuar ato ndryshime për të cilat ka filluar diskutimi prej 9 vitesh,. Nëse gjatë kësaj kohe nga opozita është folur për kulturën e pandëshkueshmërisë, ajo duhet t’i qëndrojnë diskutimeve për këtë çështje. Kemi 9 vite që flasim, duhet të votojmë”- u shpreh Topalli. Pas takimit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi, palët u shprehën se është diskutuar mbi thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Kjo është një ditë historike pasi kjo është vizita e parë e një niveli të lartë politik nga Jordania që viziton Shqipërinë. Kjo vizitë do të bëjë të mundur nxitjen dhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare dhe politike si një mundësi për ti hapur rrugën zhvillimeve ekonomike mes dy vendeve, kulturore dhe rritjes së shkëmbimeve tregëtare”- theksoi ajo. Nga ana e tij, kreu i dhomës së përfaqësuesve të Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi e ka cilësuar si mbresëlënëse vizitën në Shqipëri. Ai ka theksuar se në të ardhmen do të ketë intensifikim të marrëdhënieve duke hedhur hapa konkretë në ato fusha që janë me interes të përbashkët. “Pavarësisht se është vizita e parë e ndjej veten si në shtëpinë tonë dhe shpresojmë se ka shumë gjëra të përbashkët që na lidhin ne dy popujt dhe marrëdhëniet tona do të vijojnë në një stad tjetër në të ardhmen. Folëm edhe për disa hapa konkretë për intensifikimin e marrëdhënieve tona në të ardhmen”- tha Al Doghmi. Kjo është vizita e parë e nivelit më të lartë që një zyrtar jordanez zhvillon në Shqipëri, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Kryetari i parlamentit të Jordanisë është i 39-ti që viziton Shqipërinë që në vitin 2005 kur zonja Topalli është në krye të parlamentit shqiptar. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë do të takohet me Presidentin Bujar Nishani me kryeministrin Sali Berisha si dhe me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti.
...