E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Ndjesë për urrejtjen e diktaturës ndaj Mbretit Zog e Familjes Mbretërore

04-12-2011 / Gazeta 55

“Është detyrë e çdo kombi të njohë dhe të nderojë historinë e vet”. Kështu u shpreh dje Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë homazheve që u mbajtën në mjediset e Kuvendit për t’i dhënë lamtumirën e fundit të birit të Mbretit Ahmet Zog, trashëgimtarit të kurorës mbretërore shqiptare, Leka i Parë, i cili u përcoll me të gjitha nderimet që i takojnë një familje mbretërore, për në banesën e fundit. “Mbreti Ahmet Zogu dha një kontribut fondamental në ndërtimin e shtetit shqiptar në rrethana të vështira, të komplikuara të asaj periudhe historike për kombin tonë. Kjo ceremoni u zhvillua jo vetëm në nderim të asaj pjese të historisë së Shqipërisë, por edhe si ndjesë për gjithë urrejtjen, që diktatura mbolli gjatë gjysmë shekulli, ndaj Mbretit Ahmet Zogu dhe familjes mbretërore”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Topalli. Ndërkaq, Kuvendi reagoi ndaj akuzave të deputetëve socialistë, të cilët për çudinë më të madhe shprehën habi për homazhet që u zhvilluan në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas reagimit të zyrës së shtypit të Kuvendit, ceremonia e mbajtur në hollin e tij, u bë në shenjë nderimi për kontributin dhe ndihmën që familja mbretërore i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë, në garantimin e lirisë dhe pavarësisë së tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›