Berat, ishte dënuar për drogë, kapet 22 vjeçari
Policia e Beratit ka vënë në pranga shtetasin Renaldo Dhimitri, 22 vjeç, banor i qytetit të Beratit. Ky person, sipas organeve të rendit akuzohet për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Me këtë akuzë, 22- vjeçari është hetuar nga organet e prokurorisë, ndërsa më pas çështja i ka kaluar gjykatës së rrethit gjyqësor, e cila e ka dënuar në mungesë me 5 vjet burg Dhimitrin prej vitit të kaluar.
Pikërisht që nga data 6 tetor 2008, policia e ka shpallur në kërkim të dënuarin në mungesë, i cili është prangosur ditën e djeshme në qytetin e Tiranës, bëjnë të ditur burime të policisë. Në zbatim të urdhrit të prokurorisë prej tetorit të vitit të kaluar, policia e sektorit antidrogë ka qenë në gjurmim dhe kërkim të 22- vjeçarit, emri dhe fotoja e të cilit i kanë kaluar dhe komisariateve të tjera të vendit për të ndihmuar në prangosjen e të dënuarit të mungesë. Sot përfundimisht Renaldo Dhimitri është vënë në pranga dhe është shoqëruar për në qeli, ku do të vuajë dënimin 5- vjeçar.