Topalli: Tryeza, bojkotit të PS po i vjen fundi

Tiranë, 10 shkurt, NOA Bojkotit të deputetëve
socialistë ndaj Kuvendit, i cili po zgjat prej muajsh, tashmë po i vjen fundi.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni
kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një konferencë për shtyp me homologun
malazez, Ranko Krivokapiç.
Sipas saj, e rëndësishme është që të ndalet
bojkoti dhe shtoi më tej se paraqitet mjaft optimiste lidhur me rezultatin që
pritet të ketë tryeza e Presidentit Topi, parashikuar të shtunën, për lënien në
mes të bojkotit të deputetëve socialistë.
Jam optimiste, jemi në afatet e fundit të
skadencës së mandateve të deputetëve që ende nuk janë paraqitur të bëjnë detyrën
në parlament. Por jam e sigurt se ata do të vijnë të paraqiten në të mirë të
procesit të liberalizimit të vizave dhe reformave në vend, mësohet të jetë
shprehur Topalli.
Bojkoti ka vetëm një emër, ai është Edi Rama,
tha ajo më pas duke e mbyllur këtë çështje.
Më pas, në prani edhe të homologut malazez,
Ranko Krivokapiç, Topalli tha se Shqipëria e Mali i Zi do të lobojnë në
Bashkimin Europian për marrjen e fondeve për thellimin e lumit Bunë.
n.e/NOA