E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria sulmon sindikatat në Kushtetuese

Nis procesi i shqyrtimit të kërkesës për shfuqizimin e ligjit të hartuar nga ekzekutivi

Ka nisur dje me një përplasje frontale në Gjykatën Kushtetuese procesi shqyrtues për ligjin e miratuar nga Kuvendi për heqjen e pronave të sindikatave. Përfaqësuesja e qeverisë ka mbrojtur draftin, duke akuzuar rëndë përfaqësuesit e sindikatave, të cilët që prej vitit 1990 kanë pasur në përdorim ish-kampet e punëtorëve apo edhe ambiente të tjera që u janë dhënë organizatave sindikale në vend, si Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, Konfederata e Sindikatave etj. Ndërkaq, përfaqësuesit ligjorë të sindikatave kanë kundërshtuar argumentet e qeverisë dhe të Kuvendit, duke bërë të ditur se në këtë mënyrë dëmtohen interesat kontraktuale të të tretëve, të cilët kanë marrë me qira ambientet e sindikatave. Ankimues në proces si palë janë: Sindikata e Pavarur e Transportit, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sindikata Rajonale, Elbasan, të cilat kërkojnë shfuqizim si antikushtetues të ligjit nr. 10159, datë 15.10.2009 për shfuqizimin e ligjit nr. 8340/1, datë 06.05.1998 “Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr. 204, datë 05.06.1002, për pasurinë e sindikatave”. Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar të dyja palët, por nuk e ka lënë datën kur do të shpallë vendimin përfundimtar. Parlamenti miratoi pak kohë më parë ligjin që lejon shtetëzimin e pronave të sindikatave. Kjo është e përcaktuar në nenin 5 të projektligjit “Për shfuqizimin e ligjit për rregullimin e pasojave, që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr. 204, për pasurinë e sindikatave”. Ligji parashikon që pronat e reja të inventarizuara të shkojnë për fondin e kompensimit fizik të ish-pronarëve. “Fondi i pronave të paluajtshme shtetërore të inventarizuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, vihen në dispozicion për kompensimin fizik të ish-pronarëve sipas ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar, si dhe vënien e tij në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, thuhet në nenin 5 të tij. Pra nga ky “shtetëzim” pritet të përfitojnë ish-pronarët, të cilët duan të përfshihen në procesin e kompensimit fizik. Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë një akt të veçantë nënligjor për kalimin e këtij fondi në llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për efekt të kompensimit fizik të pronës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›