E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Xhafaj të kërkojë ndjesë publike

Kryeparlamentarja

Kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzoi për shpifje deputetin socialist, Fatmir Xhafa, dhe i tha se duhet t’i kërkojë ndjesë publike. Me një deklaratë nëpërmjet zëdhënëses, Suela Ruseli, kryeparlamentarja thekson se “lidhur me deklaratat e pavërteta dhe të papërshtatshme të zotit Fatmir Xhafaj, i bëjmë të ditur opinionit publik, që ka ndjekur në transmetim direkt seancën plenare të datës 19.3.2010, se Kryetarja e Kuvendit i ka lexuar gjatë seancës plenare emrat e sjellë nga grupi i mazhorancës për anëtarë të komisionit hetimor për zgjedhjet, dhe jo siç thotë zoti Xhafaj se, emrat janë shtuar pas seancës. Ftojmë zotin Xhafaj, si dhe zotin Rama, të vijnë e të marrin të gjitha kasetat filmike të seancës, ku Kryetarja e Kuvendit ka lexuar vendimin së bashku me emrat. I kërkojmë zotit Xhafaj t’i kërkojë ndjesë të thellë Kryetares së Kuvendit për gënjeshtrën dhe shpifjen e bërë dje, në një emision televiziv”. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, deklaroi se Topalli i ka dërguar një letër ambasadorëve të akredituar në Tiranë ku i informon mbi vendimin e Kuvendit dhe thekson se emrat janë miratuar në seancë. Në fakt, problemi i vetëm i vendimit që u miratua në Kuvend është se ai nuk dihet se ku u hartua, pasi asnjë strukturë parlamentare nuk është mbledhur për ta “gatuar draftin”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›