Topalli dhe Meta: Pezullimi? PS i bëri atentat vendit
Deklaratat
Meta deklaron se është i gatshëm të kontribuojë për zgjidhjen e krizës në çdo tryezë
Mazhoranca, e gjitha në unison ka reaguar pas “çlirimit” të kredencialeve nga Strasburgu dhe më pas ka thirrur me gisht fajtorin: Ai është Edi Rama. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, zv/kryeministri Ilir Meta dhe zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, kanë akuzuar kryetarin e PS-së si shkaktarin e të gjithë stuhisë së shkaktuar dy ditë më parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Topalli
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, akuzoi Partinë Socialiste, se nëpërmjet letrës së dërguar KE-së për heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare de facto kërkoi përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm europian. Në një prononcim për median, Topalli e quan këtë ngjarje një “atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë”. Në mënyrë të qëllimshme, vijoi ajo, zyrtarisht, Partia Socialiste mashtron Këshillin e Europës. Topalli citoi letrën e socialistëve ku sipas saj thuhej se “Kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcionalitetin në përbërjen e delegacionit”. Kësaj gënjeshtre nuk po i përgjigjem me fjalët e mia, tha kryeparlamentarja, por me vendimin e Komitetit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Strasburg. “Pas verifikimit, sot ky komitet vendosi se, po citoj: Nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare”. Për këtë arsye u vendos unanimisht, siç thuhet në raport, tha Topalli se kredencialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen.
Meta
Zv/kryeministri, Ilir Meta, ka akuzuar hapur Partinë Socialiste si fajtore e bllokimit të kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Europës në Strasburg. Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, the se ky veprim i disa personave në PS është një “përpjekje tejet fëminore dhe tërësisht e papërgjegjshme”. Meta akuzoi drejtpërdrejt disa përfaqësues të Partisë Socialiste për dëmtimin e imazhit të vendit, “jo vetëm në Strasburg, por kudo”. “është një problem i krijuar me qëllim nga lidershipi i Partisë Socialiste dhe ka të bëjë me bojkotin e pakuptueshëm që e kanë dënuar të gjithë”, deklaroi Meta dje në një konferencë për shtyp lidhur me kërkesën e disa përfaqësuesve të PS-së drejtuar Asamblesë së Këshillit të Europës në Strasburg për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Kreu i LSI-së, i pyetur për zgjidhjen e krizës nën ndërmjetësimin e Presidentit tha se mbetet i hapur për të marrë pjesë dhe kontribuar në çdo tryezë për zgjidhjen e ngërçit. Meta vlerësoi edhe figurën e kreut të shtetit, Bamir Topi, dhe qëndrimet e tij.
Mëhilli
Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, duke dhënë qëndrimin e selisë blu, ka deklaruar dje se ka dështuar tentativa e Ramës për të prishur imazhin e Shqipërisë. Zëdhënësja Mëhilli theksoi se “Këshilli i Europës hodhi poshtë me votë unanime, kërkesën e turpshme e antishqiptare të Edvin Kristaq Ramës dhe pinjollëve të bllokut, për përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm i rëndësishëm europian. Pas këtij dështimi të merituar dhe përçmimit të letrës së mbushur kryekëput me trillime dhe mashtrime, e të firmosur nga shoqja Arta Dade”.
#