E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli dhe Rama rrëfehen tek vëzhguesit e OSBE për procesin zgjedhor

Kryeparlamentarja lavdëron procesin, Rama pretendon të kundërtën
Menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri, vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet e 28 qershorit nisën takimet me përfaqësuesit politikë. Për pothuajse 1 orë e 30 minuta ata janë takuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, ku mësohet të jetë diskutuar për kartat e identitetit dhe pretendimet e opozitës për to. Ndërsa në takimin që vëzhguesit e OSBE kanë zhvilluar me kryeparlamentaren Topalli, janë njohur mbi ecurinë shumë të mirë të procesit zgjedhor. Duke folur për pengesat që opozita socialiste po nxjerr në këtë proces, kryeparlamentarja Topalli u ndal tek moskandidimi i kreut të opozitës Edi Rama. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i kapur nga paniku, ka vendosur të bëjë çdo përpjekje për ti ikur zgjedhjeve, por 28 qershori do të jetë dita më e bukur e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka bërë ndonjëherë, ka theksuar Topalli. Në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e komisionit Ad-Hoc të vëzhguesve paraelektoralë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të kryesuar nga Corien Jonker, kryetarja e Parlamentit ka theksuar se 28 qershori do të jetë dita më e bukur e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka bërë ndonjëherë. "Ndihemi shumë mirë që për herë të parë kemi realizuar një infrastrukturë moderne zgjedhore. Për herë të parë votuesit kanë regjistrin elektronik të zgjedhësve. Për herë të parë kodi elektoral është miratuar me konsensus të plotë gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe institucionet zgjedhore janë në funksionim të plotë, duke përmbushur çdo detyrim ligjor, është shprehur ajo. Ndër të tjera, Topalli ka vënë në dukje se për herë të parë zgjedhësit kanë kartat e tyre të identitetit, me elementet më të forta të sigurisë krahasuar me të gjitha vendet e tjera. Sipas saj, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave po ecën shumë normalisht dhe të gjithë votuesit shqiptarë mund të kenë kartat e tyre të identitetit.
Grosruk, në krye të vëzhguesve OSBE
Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, austriaku Volfgang Grosruk, do të jetë koordinator special i ekipit të përkohshëm të vëzhguesve të OSBE në Shqipëri. Kjo është vendosur gjatë një takimi mes ODHIR dhe OSBE në Varshavë, ku ndër të tjera është shprehur nga ana e tyre edhe vendosmëria për të punuar së bashku për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Pas misionit të ODIHR-it të vendosur në Tiranë edhe OSBE-ja tashmë do të përfaqësohet me koordinatorin e saj të posaçëm për zgjedhjet. Gjatë takimit mes drejtorit të zyrës së ODIHR, ambasadori Janez Lenarcic dhe zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk është nënvizuar rëndësia që këto zgjedhje kanë për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe për integrimin e mëtejshëm të vendit në strukturat europiane. Prandaj bashkëpunimi dhe partneriteti i ngushtë mes ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si dhe ai me partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të jetë thelbësor për një vlerësim objektiv e të bazuar në fakte. Gjithashtu po gjatë këtij takimi është vendosur nga kryesia e OSBE-së që Grosruck, të jetë koordinator i posaçëm i OSBE-së për një periudhë afat-shkurtër në Shqipëri duke përfshirë edhe përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare shqiptare. Gjatë vizitës së tij, ai mblodhi informacion mbi aktivitetet e ODIHR-it, përfshi përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare. Ky takim mes dy prej misioneve më të rëndësishme të vëzhgimit të zgjedhjeve OSBE dhe ODIHR ka konkluduar se raporti paraprak për zgjedhjet e 28 qershorit do të nxirret vetëm 24 orë pas ditës së zgjedhjeve. Kështu politika shqiptare do ta marrë notën e ndërkombëtarëve në datën 29 qershor ndërkohë që raporti përfundimtar për zgjedhjet do të lëshohet disa javë pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›