Islami: PS njohu rezultatin e zgjedhjeve
Ligjvënësit e asaj çka cilësohet “Lëvizje për Mendimin Ndryshe”, një pjesë e të cilëve kanë deklaruar tashmë se nuk do e djegin mandatin, nuk do të hyjnë qysh ditën e hënë në Parlament, pavarësisht letrës së Kryetares së Kuvendit. Ata i mbeten sërish vendimit për të hyrë në Parlament në momentin e fundit, para se t’u mbarojnë mandatet. Ndaj, ditën e nesërme, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ata do të kërkojnë që PS të rishohë vendimin për të bojkotuar Parlamentin. Deputeti socialist, Kastriot Islami, deklaroi dje se faktikisht PS e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke parë firmat e 20 mijë komisionerëve të saj në procesverbalet e komisioneve zgjedhore. “Nga pikëpamja legale, Partia Socialiste e ka pranuar këtë rezultat zgjedhor nëpërmjet 20 mijë komisionerëve, nëpërmjet anëtarëve të saj në KQZ, por edhe në Kolegjin Zgjedhor. Ky rezultat është i certifikuar nga arbitri ndërkombëtar, i cili nuk gjen asnjë element për t’i quajtur zgjedhjet me legjitimitet të cunguar. Kjo na shtyn të kërkojmë një rivlerësim edhe pas 6 muajve të veprimeve të PS-së”, tha ai.
#